Superiorja rikthehet të argëtojë me gola, java e 33-të na rikthen në muajin nëntor

10/05/2022 09:37

Java e 33-të e Abissnet Superiore rezultoi të ishte e pasur sa i takon golave të shënuar, duke qenë se në të pesta ndeshjet pati festë ndërsa të gjitha skuadrat ia dolën të gjenin rrugën e rrjetës.

Prej disa javësh, dukej sikur sulmuesit dhe faza ofensive e skuadrave ishte kapluar nga një ngërç në aspektin realizativ duke prodhuar shifra të varfëra. Një statistikë negative e cila në fakt lidhej ngushtësisht edhe me objektivin që ekipet duhej të arrinin ndërsa e rëndësishme ishte të mos dilnin pa pikë nga 90-minutëshi.

Megjithatë, tashmë me fundin e kampionatit vetëm tre ndeshje larg dhe me verdiktet që janë thuajse të përcaktuara dhe mbetet vetëm konfirmimi matematikor, skuadrat e Superiores duket se janë çliruar dhe në këtë javë në total u realizuan 17 gola, që mesatarisht i bie 3.4 gola për ndeshje.

Sfida që dhuroi më shumë gola ishte ajo mes Laçit dhe Egnatias, ku rrogozhinasit kaluan të parët në avantazh megjithatë në fund dolën të mposhtur me rezultatin 4-1 teksa kurbinasit siguruan vendin e dytë dhe për herë të parë në historinë e tyre mbajnë statusin e nënkampiones së Shqipërisë.

Ndërkohë, për të gjetur një javë e cila i dërgoi të gjithë skuadrat tek goli atëherë duhet të kthehemi shumë kohë më pas teksa ishte java e nëntë (muaj nëntor) ku të gjitha ekipet ia dolën të gjenin rrugën e rrjetës, teksa e njëjta statistikë është përsëritur edhe në javën e dytë.

Kështu, këto janë tre rastet e vetme kur në Superiore kanë shënuar të gjitha skuadrat në një javë, ndërsa me 17 golat e realizuar, java e 33-të është e katërta më produktive e kampionatit pas javës së parë ku u shënuan 21 gola dhe javës së pestë e të 11-të  ku u shënuan 19 gola.

Rezultatet e javës së 33-të:

Vllaznia-Kukësi 2-1

Dinamo-Skënderbeu 1-1

Teuta-Egnatia 3-1

Laçi-Kastrioti 4-1

Partizani-Tirana 1-2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA