Edhe më shpejt nga sa mendohej; ministri francez i Çështjeve Europiane, Clement Beaune, pohoi se vendet anëtare të BE_së mund ta arrijnë gjatë kësaj jave marrëveshjen për propozimin e Komisionit Europian për ndalesën e të gjitha importeve të naftës nga Rusia.
“Mendoj se do të kemi një ujdi këto ditë” u shpreh ai për televizionin LCI. Ministri shtoi se presidenti francez, Emmanuel Macron, më vonë gjatë 10 majit, do të bisedojë me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, për këtë çështje, e do të përpiqet me sa duket ta bindë aleatin e Vladimir Putin të mos e bllokojë këtë nismë.
Hungaria është kritikja më e madhe e embargos mbi naftën ruse në BE. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pretendon po ashtu se ka bërë përparim në bisedimet me Orbanin, sa i përket kësaj çështjeje. Në 4 maj Von der Leyen, prezantoi propozimin e KE-së, si pjesë e pakos së gjashtë të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Komisioni parashikon që BE-ja të heqë dorë plotësisht nga nafta e papërpunuar ruse dhe produktet e rafinuara deri në fund të vitit. Por, për të miratuar këtë pako të gjashtë të sanksioneve kërkohet mbështetja unanime e 27 shteteve anëtare të bllokut evropian.
Top Channel