Ilir Meta jep premtimin në ‘Top Story’: Pas 25 korrikut fillon ekzekutimi i frikës, do të nisë duke luftuar korrupsionin dhe mafian

10/05/2022 22:36

Kreu i shtetit Ilir Meta, i cili është në dy mujorin e fundit të mandatit të tij si president, u shpreh se është shpejt për të bërë një vlerësim të tijin për ‘performancën’ në atë post por beson se e ka mbajtur nën kontroll provokimin dhe tensionin që ka pasur.

Meta u shpreh i rezervuar në lidhje me presidentin e ardhshëm, por tha se ajo çfarë është e sigurt, do të jetë që presidenti që vjen do ta ketë të vështirë që të jetë i pavarur, pasi sipas tij të dyja skuadrat janë një tashmë dhe presidenti e ka të vështirë të jetë arbitër në një situatë të tillë.

Ai bëri një premtim mbrëmjen e sotme në ‘Top Story’, ku tha se me 25 korrik fillon ekzekutimi i frikës dhe nis rikthimi i transparencës dhe llogaridhënies në çdo nivel.

Ku e vendosni veten në radhitjen e presidentëve të mirë dhe të këqij?

Unë mendoj që është herët për të bërë një vlerësim timin sepse nuk kam përfunduar akoma. Kam qenë në qendër të ngacmimit dhe të provokimit dhe besoj se e kam mbajtur shumë mirë këtë situatë tensioni dhe provokimi.

Si duhet të jetë pasardhësi juaj?

Presidenti i ardhshëm do ta ketë të vështirë sepse është shumë e vështirë të jetë i pavarur. Kjo është e qartë, duhet të keni parasysh se janë disa çështje të nxehta kushdo që të vijë duhet të mbajë një qëndrim në përputhje me kushtetutën ose do të lejojë të cënohen disa nga këto element. Kjo nuk do të jetë e thjeshtë por ai do ta ketë shumë të lehtë. Si mund të jesh arbitër i një ndeshjeje ku të dyja skuadrat janë nji. PD kurrë nuk do të kishte djegur mandatet.

Jap një premtim solemn para të gjithë shqiptarëve, si ish-student i dhjetorit ’90, për të gjithë ata që donin të asgjësonin pluralizmin, se me 25 korrik fillon ekzekutimi i frikës dhe nis rikthimi i transparencës dhe llogaridhënies në çdo nivel. Nis një luftë e pa kompromis kundër mafies lokale, rajonale dhe ndërkombëtare.

Top Channel