Shefja e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, zhvilloi një vizitë të paparalajmëruar në Ukrainë dhe iu drejtua Buças, qyteza e vogël në periferi të Kievit e kthyer në skenën e mizorive më të mëdha të forcave ruse, të cilat akuzohen se kanë kryer këtu krime të luftës para se të tërhiqeshin në muajin prill.
Ndalesa e Baerbock përbën vizitën e parë të një anëtari të Qeverisë gjermane në Kiev, që prej fillimit të agresionit rus në 24 shkurt. Tërheqja e trupave ruse nga Buça dhe qytete të tjera afër Kievit, u pasua nga dëshmi të tmerrshme për vrasje brutale, tortura, varre masive e shënjestrim të civilëve gjatë luftimeve. Këto dëshmi nxitën apelet nga disa shtete, por edhe nga Kombet e Bashkuara dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale për hetime që do të përcaktojnë nëse janë kryer krime lufte në këtë zonë. Baerbock u shpreh e tronditur nga ato që pa e dëgjoi.
Baerbock: Ky është një vend ku krime të paimagjinueshme jo vetëm kanë ndodhur, por u bënë edhe të dukshme për të gjithë. Mendoni pak, këto viktima mund të kishim qenë ne.
Autoritetet ukrainase thonë se shumica e civilëve të vrarë në Buça, janë qëlluar me armë zjarri. Disa prej viktimave i kishin duart të lidhura pas shpine. Zyrtarët rusë pretendojnë se forcat e Moskës nuk kanë sulmuar civilët në Ukrainë dhe se videot nga Buça, ku shihen trupat e civilëve të shtrirë nëpër rrugë, janë të falsifikuara me qëllimin të pengoheshin bisedimet e paqes.
Top Channel