Vdekja e Ilvi Metës/ Duma: Isha në shtëpinë e tyre, ai ishte paragjykuar të ishte fajtori në shoqëri dhe policia e kapte e rrihte

09/05/2022 17:34

Deputetja e Partisë Demokratike Grida Duma ka ngritur ditën e sotme në Parlament çështjen e vdekjes së 31-vjeçarit Ilvui Meta në Komisariatin e Policisë së Kavajës, ku tha se lidhësja që konsiderohet si lidhëse kapuçi, duket shumë hapur që është një lidhëse këpucësh.

Ajo u shpreh se natën e ngjarjes, ka vizituar shtëpinë e familjarëve të tij ku kishte pllakosur heshtja dhe familjarët po përjetonin traumë të madhe. Duma tha se  Meta ishte bërë objekt paragjykimi për çdo vjedhje ordinere që ndodhte dhe policia e kapte dhe ushtronte dhunë ndaj tij.

Deputetja gjithashtu shtroi edhe çështjen e mungesës së institucioneve në Shqipëri që duhet ti vijnë në ndihmë të rinjve për riedukim në mënyrë që pasojat mos të jenë kaq të rënda.

“I ftoj kolegët  e mazhorancës dhe të opozitës ti hedhin një sy këtyre fotove. Janë dy foto me një lidhëse këpucësh që duken më shumë se kapuçi. Një sy normal nuk ka nevojë për ekspertizë që duket se zor se mund të ndodhë kjo. Kemi qenë dhe do qëndrojmë gjithmonë përkrah hetimit. Unë kam shkuar atë natë në familjen e djalit të vdekur dhe kam parë një kob më të madh se sa vdekja. Kur shkojmë në atë moment është një vaj sidomos i nënës dhe i grave. Aty kishte pllakosur heshtja. Trauma ishte më e madhe se sa morti. Tek ajo familje përveç se ishte vuajtja e njerëzve, për një çast bëra pyetje të atit për çfarë akuzohej djali dhe më tha për vjedhjen e një dere alumini, krime ordinere. Ai më tha se e kanë akuzuar edhe për diçka që nuk e ka kryer e teksa ishte tek e motra në Greqi. Ai është paragjykuar se do të ishte gjithmonë fajtori në këtë shoqëri dhe e kapnin e rrihnin. Ai më thoshte se nuk e beson kurrë që ka vrarë veten. Një racizëm paragjykimi ekziston në këtë vend edhe nëse gabon vetëm një herë të vetme. Mundësia për tu ringritur e për të mos u paragjykuar është shumë i vogël. Në këtë vend nuk ka asnjë institucion që mund të shtrijë dorën nëse të rrëshqit këmba në rini dhe kështu pasojat mund të jenë fatale.”- tha Duma.

Top Channel