Komisioni Evropian do t’i përgjigjet kërkesës së anëtarësimit të Ukrainës në BE muajin e ardhshëm. Lajmi e konfirmoi shefja e BE, Von der Lejen, dhe vjen pas vizitës në Odesa të Presidenti të Këshillit Europian Charles Michel,për ta kremtuar atje Ditën e Europës.
Vizita e tij, u pa si “demonstrim i mëtejshëm i solidaritetit të pathyeshëm të Bashkimit Europian me popullin ukrainas në betejën e tij kundër pushtimit rus”.
Michel u takua me kryeministrin ukrainas Denys Shmyhal dhe pati edhe një lidhje video me presidenti Volodymyr Zelensky, por bombardimet ruse në Odessa, ndërprenë takimin e tyre dhe Michel është detyruar të strehohet në një vend të sigurt.
Ndërkohë në postimin në Twiter më vonë, shefja e BE-së Ursula Von der Lejen, tha se kishte folur me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky duke thënë se “Komisioni i BE-së do të synojë të japë opinionin e tij në qershor”. Zelenski teksa konfirmoi dorëzimin e dokumentacionit tha se shpresojnë në rezultate pozitive.
“Po ju përcjellim sot këtë pjesë të dytë të dokumentacionit . Ne presim shqyrtimin dhe konkluzionet e Komisionit Evropian. Do të doja që këto përfundime të ishin pozitive dhe të përshpejtuara falë jush. Mendoj që ne kemi një shans për të marrë konkluzione pozitive nga Komisioni në fund të majit ose në fillim të qershorit”, tha Zelensky.
Ndërkohë presidenti francez Emanuel Macron kujtoi se procesi për tju bashkuar bllokut zakonisht kërkon vite të tëra kohë duke sugjeruar ndërtimin e një komuniteti më të gjerë politik të shteteve demokratike rreth bllokut.
“Por edhe nëse i japim Ukrainës statusin e kandidatit nesër, të gjithë e dimë shumë mirë se procesi për t’i lejuar ata të anëtarësohen do të zgjasë disa vjet, në të vërtetë ndoshta disa dekada. Ne duhet të iniciojmë një reflektim historik për organizimin e kontinentit tonë duke parë ngjarjet që po kalojmë. Kjo organizatë e re evropiane do t’u mundësojë kombeve demokratike evropiane që i përmbahen vlerave tona thelbësore të gjejnë një hapësirë të re për bashkëpunim politik, bashkëpunim në siguri, energji, transport, investime në infrastrukturë dhe në lëvizjen e njerëzve”, tha Macron.
Në prill, Von der Leyen vizitoi Kievin për të treguar solidaritet me Ukrainën dhe ra dakord që Brukseli do të konsideronte ambicien e gjatë të Ukrainës për t’u bashkuar me bllokun. Miratimi zyrtar i vendit si kandidat kërkon një unanimitet nga 27 vendet anëtare të BE-së .
Top Channel