Ambasadori rus në Poloni u spërkat me bojë të kuqe nga aktivistët pro-ukrainas në Varshavë të hënën teksa përpiqej të vendoste një kurorë për të shënuar Ditën e Fitores.
Dita e Fitores festohet çdo vit më 9 maj për të përkujtuar humbjen sovjetike të Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Ngjarjet e këtij viti po zhvillohen ndërsa fushata ushtarake e Moskës në Ukrainë hyn në muajin e tretë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova e cilësoi ngjarjen një sulm të rëndë, duke thënë se “Adhuruesit e neo-nazizmit treguan sërish fytyrat e tyre”, duke përsëritur pohimin e Rusisë se po lufton neo-nazistët në Ukrainë.
Ndërkohë vetë ambasadori Sergey Andreev pasi fshiu fytyrën me dorë, tha: “Jam krenar për vendin tim dhe presidentin tim”.
Ambasada ruse kishte planifikuar të zhvillonte një ceremoni zyrtare në vend, por e anuloi pas një përgjigje negative nga kryetari i bashkisë së Varshavës dhe ministria e jashtme.
Por Andreev gjithsesi u shfaq me kurorën e tij, ndërsa protestuesit pro-ukrainas mbanin një tabelë të madhe që shkruante “kriminelë” dhe shfaqnin foto të vendit të shkatërruar nga lufta.
Top Channel