Paraditen e sotme është parashikuar të mbahet mbledhja e kryesisë së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, e thirrur nga Enlekejd Alibeaj.
Të kontaktuar nga Top Channel, deputetët Ervin Salianji dhe Luçiano Boçi kanë konfirmuar se do e bojkotojnë sërish mbledhjen, pasi sipas tyre Alibeaj nuk ka kompetencën për të thirrur grupin.
“Mbledhja e kryesisë u kërkua për të gjetur një mënyrë konsensuale për të qenë të gjithë. Deklarata e së premtes dhe moskomunikimi me asnjë prej deputeteve i hedh tis pronësor grupit”, u shpreh Ervin Salianji.
Edhe deputeti Luçioano Boçi, konfirmoi mungesën e tij në mbledhje , duke e cilësuar Alibeajn si jashtë çdo kompetencë , pasi është i shkarkuar. Ai thotë se Alibeaj e përdor grupin për interesat e Ramës.
“Vazhdohet i njëjti avaz.Ndërkohë që ka paracaktuar mbledhjen e grupit parlamentar dhe rendin e ditës për në 14.00 për të diskutuar një propozim për procedurën e presidentit alla Rama, Alibeaj gjoja organizon një mbledhje te thirrur nga ai jashtë çdo kompetence të Kryesisë së vogël e cila nuk ka tagër vendimmarrës. Ketë e ka Kryesia e Grupit Parlamentar. Të dyja thirrjet janë pa vlerë. Zoti Alibeaj që nga data 30 prill nuk është kryetar grupi. Po tenton te përdorë grupin për interesat e Ramës. Grupi Parlamentar zbaton vendimet e Këshillit kombëtar dhe jo vendimet e kulisave të Rames. Procedura e propozuar nga Alibeaj gjoja me zarfa elektronike, i qartazi i jep të drejtë mazhorancës të zgjedhë kë të doje dhe më pas ta paraqesë atë si rezultat konsensusi. Në situatën që është Rama, kjo është një ndihmë e madhe për të, sikurse anasjelltas. E gjitha kjo është një nëpërkëmbje e interesave të demokrateve dhe të Partise Demokratike. Kjo maskaradë duhet të marrë fund”.
Ndërkohë, në orën 14:00, Alibeaj ka thirrur mbledhjen e grupit parlamentar, për të diskutuar mbi draft dokumentin, i cili parashikon kriteret dhe formulën, që sipas disa anëtarëve të grupit parlamentar, duhet zgjedhur presidenti i ri.
Në mbledhjen e fundit të “kampit” të Alibeajt, të zhvilluar të enjten, 22 deputetë të Partisë Demokratike, iu bashkuan ftesës për mbledhje të grupit, ku në fokus ishte zgjedhja e presidentit të ri, ndërsa 30 të tjerë nuk ishin të pranishëm. Edhe sot, deputetët anëtarë të komisionit të Rithemelimit, nuk do të jenë prezent në mbledhje, ndërkohë që kanë miratuar një rezolutë për zgjedhjene kreut të shtetit.
Top Channel