Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres e dënoi me forcë sulmin në një shkollë të Ukrainës, ku mendohet të kenë humbur jetën të paktën 60 vetë.

“Kjo ngjarje është kujtesë e faktit në këtë luftë, ashtu sic ndodh edhe në shumë konflikte të tjera, janë civilët ata që paguajnë çmimin më të rëndë”, tha në një deklaratë zëdhënësi i tij, Stéphane Dujarric duke folur në emër të shefit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa e cilësoi sulmin “një mizori të skajshme”.

Ishte kreu i shtetit ukrainas, Volodymir Zelensky ai që pohoi bilancin tragjik. Në bodrumin e shkollës së shkatërruar nga një bombë ruse strehoheshin rreth 90 vetë. Episodi i rëndë ndodhi teksa forcat e Moskës vazhduan goditjet ndaj fshatrave në Ukrainën lindore dhe jugore.

Guvernatori i provincës Luhansk, një nga dy zonat që përbëjnë zemrën industriale të lindjes të njohur si Donbas, tha se shkolla në fshatin Bilohorivka u përfshi nga flakët pas bombardimeve. Ekipet e ndihmës së shpejtë kishin arritur të nxirrnin prej andej 30 persona. Bombardimet ruse i kushtuan jetën edhe dy djemve, 11 dhe 14 vjeç, në qytetin fqinjë Pryvillia. Që prej largimit nga Kievi, të cilin nuk arriti ta vinte nën kontroll, Rusia e ka përqendruar ofensivën e saj në Donbas, ku separatistët e mbështetur nga Moska luftojnë që nga viti 2014 dhe kanë pushtuar disa territore.

Ushtria ruse ka vazhduar sakaq betejën për të vënë plotësisht nën kontroll qytetin port të Mariupolit, i cili ka qenë nën sulm të pamëshirshëm që nga fillimi i luftës. Fabrika e çelikut Azovstal buzë detit është e vetmja pjesë e qytetit që nuk është nën kontrollin rus.

Të gjitha gratë, fëmijët dhe të moshuarit që ishin strehuar me luftëtarët ukrainas në fabrikë, u evakuuan të shtunën. Trupat që janë ende brenda kanë refuzuar të dorëzohen; qindra besohet të jenë të plagosur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA