Zbardhet propozimi i grupit parlamentar të PD-së për zgjedhjen e presidentit, kriteret që duhet të plotësojë

08/05/2022 21:42

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka bërë të ditur propozimin për procesin e zgjedhjes së presidentit të Republikës.

Grupi Parlamentar i PD-së, është shprehur i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij procesi dhe në këtë mënyrë ka propozuar disa kritere si një hap serioz në zgjedhjen e presidentit konsensual.

Sipas grupit të PD-së, presidenti i ardhshëm duhet që pesë vitet e fundit të mos ketë qenë i angazhuar në politikë në kuptimin që të mos ketë mbajtur funksione politike në organet shtetërore dhe as pozicione në organet drejtuese të ndonjë partie politike, të mos ketë qenë agjent i ndonjë shërbimi sekret, të plotësojë kushtet e pastërtisë së figurës në drejtim të dekriminalizimit si dhe të ketë përvojë në punën e tij të paktën 15 vite.

Në njoftim bëhet e ditur se ngarkohet Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, pra Enkelejd  Alibeaj, që përpara dërgimit zyrtarisht të këtij propozimi, të zhvillojë konsultime me të gjitha grupet parlamentare të opozitës dhe të pasqyrojë edhe propozimet e tyre, me synim unifikimin e qëndrimit opozitar mbi këtë proces.

Përveç propozimeve të PD, presdienti duhet të përmbushë edhe kushtet e tjera të vendosura në Kushtetutë, të ketë jetuar 10 vitet e fundit në Shqipëri si dhe të jetë mbi 40 vjeç.

Ky draft pritet të diskutohet nesër në selinë blu, në orën 14:00, ku Alibeaj ka ftuar të gjithë deputetët që të marrin pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar.

Njoftimi:

PROPOZIM I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE PËR PROCESIN E ZGJEDHJES SË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS
 
Kuvendi është në prag të zhvillimit të procedurës parlamentare të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, me mandat 5 vjecar, që fillon në datën 24.07.2022. Kjo është një prej procedurave kushtetuese më të rëndësishme, e cila zhvillohet në situatën e mëposhtme:
 
–          Sipas nenit 86 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit;
 
–          Sipas nenit 87 të Kushtetutës, zhvillimi i tre raundeve të para synojnë zgjedhjen e Presidentit të Republikës me një shumicë të cilësuar prej 3/5 të anëtarëve të Kuvendit, pra me një shumicë që tejkalon vullnetet e njëanshme partiake;
 
–          Mazhoranca aktuale nuk ka legjitimitetin e nevojshëm për të zgjedhur e vetme Presidentin e Republikës edhe pas tre raundeve me shumicë të cilësuar. Kjo mazhorancë parlamentare është formuar nga mandate të kontestuara, në një proces zgjedhor të kontestuar[1], dhe të paktën 7 mandate të saj janë rrjedhojë e angazhimit të individëve të shpallur non-grata nga SHBA për korrupsion (2 mandatet e Aqif Rakipit; 3 mandatet e Tom Doshit) apo të arrestuar për korrupsion gjatë ushtrimit të detyrave publike (2 mandatet e Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos);
 
–          Mazhoranca aktuale, si rezultat i zhvillimeve institucionale të viteve të fundit, ka kapur dhe kontrollon e vetme të gjitha pushtetet. Presidenti i Republikës mbetet i vetmi institucion, i cili mund në rolin e duhur kushtetues të garantit të Kushtetutës, mund të veprojë për kontrollin dhe balancën mes pushteteve;
 
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, vlerëson se:
 
Është detyrë kushtetuese e opozitës parlamentare për të marrë pjesë në procedurën e zgjedhjes së Presidentit, si mënyrë për të garantuar kushtetutshmërinë e saj, si dhe për të përcjellë interesin e qytetarëve në këtë proces, duke zbatuar njëkohësisht parimin e bashkëpunimit luajal që duhet të karakterizojë cdo proces parlamentar, për të cilin Kushtetuta parashikon shumica parlamentare të cilësuara;
 
Presidenti i Republikës, i cili sipas Kushtetutës përfaqëson unitetin e popullit, duhet të zgjidhet në një proces gjithëpërfshirës, konsensual midis shumicës dhe pakicës parlamentare, transparent, luajal ndaj Kushtetutës dhe interesave të qytetarëve;
 
Presidenti i Republikës, i cili sipas Kushtetutës është kryetari i shtetit, duhet të zgjidhet bazuar në kritere të qarta dhe të paracaktuara të përshtatshme për lartësinë e detyrës, në mënyrë që zgjedhja të jetë rezultat i ndershëm i procesit dhe i kritereve, duke u larguar nga praktikat e mëparshme ku individit i është ofruar kjo detyrë e lartë shtetërore.
 
Procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës duhet të garantojë pjesëmarrjen substanciale të opozitës, me synim respektimin e qytetarëve, të cilët opozita përfaqëson. Ai duhet të jetë një proces që krijon praktikën parlamentare të respektimit të opozitës parlamentare, si detyrim kushtetues në funksion të legjitimitetit demokratik.
 
Për këtë qëllim, Grupi Parlamentar i PD-së, i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij procesi, propozon kriteret dhe procedurën e mëposhtme, si një hap serioz për zgjedhjen e një Presidenti konsensual.
 
KRITERET PËR ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS
 
Sipas Kushtetutës, President mund të zgjidhet vetëm shtetasi shqiptar që nga lindja, me qëndrim jo më pak se 10 vjetët e fundit në Shqipëri dhe që ka mbushur moshën 40 vjeç.
 
Gjykata Kushtetuese është shprehur se Kushtetuta, duke ndjekur modelin e republikës parlamentare, e ka konceptuar Presidentin me pozitë neutrale, mbi palët (super partes), me rol të rëndësishëm në zgjidhjen e krizave, balancimin e pushteteve dhe kryerjen e funksioneve të tyre respektive, që lidhet edhe me procedurën e zgjedhjes së tij nga shumica parlamentare të nevojshme dhe përmes raundeve të votimit. Presidenti nuk duhet të investohet politikisht, ai nuk duhet të shihet as si pjesë e drejtpërdrejtë e ekzekutivit dhe as si pjesë e drejtpërdrejtë e partive politike, por si një arbitër kushtetues, i cili vetëm në këtë pozicion mund të zgjidhë krizat institucionale dhe të bëhet garant i Kushtetutës. Pavarësisht se nuk merr vendime politike, Presidenti ka ndikim në jetën politike të vendit, në përputhje me këtë rol që Kushtetuta i ka caktuar. (vendimet nr. 1/2022 dhe nr. 26/2021 të Gjykatës Kushtetuese).
 
Grupi parlamentar i PD-së, vlerëson se përvec këtyre kritereve kushtetuese, Presidenti i Republikës duhet të përmbushë edhe kritere specifike, që garantojnë integritetin e tij moral dhe profesional për përmbushjen e detyrës kushtetuese me neutralitet dhe besnikëri ndaj Kushtetutës. Ndër këto kritere specifike mund të përfshihen:
 
1. Kandidati për President të Republikës, gjatë 5 viteve të fundit, nuk duhet të jetë angazhuar në politikë aktive partiake, në kuptimin që të mos ketë mbajtur funksione politike në organet shtetërore dhe as pozicione në organet drejtuese të ndonjë partie politike.
2. Kandidati për President të Republikës, përgjatë përvojës profesionale të tij, duhet të ketë dëshmuar publikisht aftësi të spikatura të integritetit, në kuptimin e kontributeve politike, ku të ketë dëshmuar aftësi për të vendosur në situata të vështira dhe aftësi për të përballur presionin/ndikimin e papërshtatshëm politik. Dëshmitë për angazhimin dhe përkushtimin e tij në kauza të rëndësishme civile përbëjnë avantazh;
3. Kandidati për President të Republikës duhet të bëjë transparencë të plotë dhe të dokumentuar të të gjitha të ardhurave dhe ligjshmërisë së pasurisë, si dhe të pagimit të të gjitha detyrimeve tatimore, bazuar në dokumentacionin zyrtar të institucioneve shtetërore përgjegjëse.
4. Kandidati për President i Republikës nuk duhet të ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi sekret, si dhe në periudhën 29.11.1944 – 02.07.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degëve të Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaҁme. Dëshmitë për angazhimin dhe përkushtimin e tij për zhdukjen dhe crrënjosjen e komunizmit përbëjnë avantazh.
5. Kandidati për President i Republikës duhet të plotësojë kushtet e pastërtisë së figurës në drejtim të dekriminalizimit.
6. Kandidati për President i Republikës duhet të ketë një përvojë në punën e tij për të paktën 15 vjet, ku të ketë dëshmuar integritet moral dhe profesional të lartë dhe të provuar, si dhe të ketë dëshmuar paanësi politike në veprimtarinë dhe qëndrimet e tij publike, me qëllim rritjen e besimit të publikut tek figuara që zgjidhet si President. Dëshmitë për përkushtimin e Presidentit ndaj vlerave themelore kushtetuese, ndaj procesit të integrimit euro-atlantik të Shqipërisë dhe vlerave euro-atlantike përbëjnë avantazh.
 
PROCES GJITHËPËRFSHIRËS DHE KONSENSUAL SHUMICË-PAKICË PARLAMENTARE
 
Për të siguruar pranimin e të gjitha palëve politike tek figura e Presidentit të Republikës, me qëllim rritjen e besimit të publikut tek Institucioni i Presidentit të Republikës, është e nevojshme që procesi parlamentar për zgjedhjen e Presidentit të Republikës të jetë transparent, gjithëpërfshirës, luajal ndaj Kushtetutës dhe konsensual. Ai duhet të bazohet tek diskutimi dhe dialogu i sinqertë mes shumicës dhe pakicës parlamentare, ku secila palë të ketë rol aktiv në përzgjedhje. Në këtë drejtim, palët duhet të bien dakord në formësimin e një procesi të përbashkët, që siguron rol të balancuar të të gjitha palëve. Vetëm pas dakordësisë mbi rregullat e përbashkëta të procesit, palët mund të kalojnë në fazën e propozimit të emrave konkretë, me synimin e përbashkët për përzgjedhjen e kandidatit më të mirë të mundshëm për ushtrimin e detyrës së Presidentit të Republikës.
 
Procesi duhet të synojë me cdo kusht zgjedhjen e Presidentit të Republikës me shumicë të cilësuar prej të paktën 84 vota.
 
Një formulë për procesin, pa qenë e kufizuar dhe që mund të përsoset me kontributin e të gjitha grupeve parlamentare, mund të jetë si më poshtë:
 
1.      Palët bien dakord paraprakisht për kriteret e përzgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kriteret e dakordësuara publikohen menjëherë;
2.      Opozita Parlamentare propozon 4 kandidatë për President të Republikës, që vijnë në mënyrë proporcionale nga fusha të ndryshme, të cilat paracaktohen në kriteret e caktuara sipas pikës 1. Këto propozime paraprakisht i nënshtrohen konsultimit publik;
3.      Mazhoranca përzgjedh 2 kandidatë që gëzojnë besimin më të madh.
4.      Një Komision i përbërë nga 6 anëtarë: 3 shumica parlamentare dhe 3 pakica parlamentare, shqyrtojnë 2 kandidatët e përzgjedhur dhe bien dakord për përzgjedhjen dhe propozimin e përbashkët të njërit prej kandidatëve. Kandidatura e përzgjedhur i nënshtrohet votimit në seancë plenare.
5.      Kjo procedurë përsëritet për cdo raund, ku skualifikohen kandidatët që nuk janë përzgjedhur sipas pikës 2, dhe kandidati që nuk ka marrë mbështetjen në seancë plenare.
6.      Shkelja e njëanshme e rregullave të procedurës i njoftohet zyrtarisht shumicës parlamentare dhe publikohet menjëherë. Në rast të mosriparimit të shkeljes ose në rast të shkeljes së përsëritur të tyre, opozita parlamentare tërhiqet nga pjesëmarrja e mëtejshme në proces duke treguar publikisht edhe shkakun.
 
Ngarkohet Kryetari i Grupit Parlamentar të PD që përpara dërgimit zyrtarisht të këtij propozimi, të zhvillojë konsultime me të gjitha grupet parlamentare të opozitës dhe të pasqyrojë edhe propozimet e tyre, me synim unifikimin e qëndrimit opozitar mbi këtë proces.
 
Ky dokument nuk ka si qëllim ngurtësimin e një procesi që favorizon opozitën, por synon gjithëpërfshirjen. Për këtë arsye, ky propozim është i hapur për diskutime, përmirësime apo propozime shtesë nga të gjitha grupet parlamentare, me synimin e vetëm të ndërtimit të një procesi transparent dhe që prodhon produkt të gjithëpranuar. Për këtë proces ngarkohet Kryetari i Grupit Parlamentar, i cili informon dhe konsultohet në mënyrë të vazhdueshme Grupin Parlamentar mbi ecurinë e procesit.

Top Channel