Në momentet më kritike që po kalon i ati, e bija e kompozitorit të mirënjohur shqiptar Limos Dizdari emocionon përmes mesazhit të fortë që jep, padashur, me aktin e saj të dashurisë.
Jehona e tingujve të dalë nga violina e saj është përhapur në spitalin e Durrësit ku i ati ndodhet i shtruar, siç bëri të ditur një ditë më parë TCH. Në dhomën e reanimacionit, ajo ka interpretuar me violinë për të atin, që ndodhet i intubuar, nën kujdes mjekësor.
Kur fuqia e mjekut resht, besimi te forca e dashurisë dhe muzikës është kthyer në terapinë më të mirë.
Terapia nëpërmjet muzikës njihet në mbarë botën për fuqinë që ka në përmirësimin e gjendjes shpirtërore dhe shëndetësore të njerëzve. Gjithnjë e më shumë ajo po përdoret si një terapi kundër stresit, dhembjes, traumave apo humbjes së kujtesës.
Nga studimet rezulton se terapia e muzikës i lehtëson njerëzit edhe nga dhembjet fizike përmes uljes së ankthit.
Kompozitori Limoz Dizdari është shtruar në reanimacionin e kirurgjisë së spitalit të Durrësit me pamjaftueshmëri pulmonare. Gjendja e tij nuk është e mirë. Për ta mbajtur të kapur pas jetës dhe muzikës së cilës Dizdari i ka kushtuar jetën, vajza e tij interpreton brenda dhomës, duke magjepsur dhe përcjellë mesazhe të forta me tingujt e violinës së saj.
Magjia e muzikës mbase do të prekë dhe personelin spitalor, për një shërbim më të dedikuar e të kujdesshëm ndaj pacientëve në të gjitha pavionet spitalore.
Top Channel