Rreth orës 13.00 të kësaj të diele një çift bashkëshortësh 43 dhe 47 vjeç së bashku me fëmijën 3 muajsh në karrocë tentuan të kalojnë vizat e bardha në rrugën e Kavajës teksa 39 vjeçari Abas Sulejmeni duke lëvizur me mjetin Benz G Class nuk ndaloi në semafor të kuq dhe përplasi familjen të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital ndërsa 39 vjeçari braktisi mjetin dhe u arratis nga policia.
“Top Channel” ka siguruar pamje të kamerave të sigurisë në zonë të cilat kanë filmuar aksidentin e rëndë. Në pamje shihet familja Konomi teksa po ecën në vijat e bardha kur semafori u jep të drejtën e lëvizjes këmbësorëve. Në korsinë e parë një mjet benz qëndron kur semafori bëhet i kuq dhe këmbësorët vazhdojnë lëvizjen të qetë ndërsa në korsinë e dytë mjeti benz G class i Ajas Sulejmani nuk frenon por përplas çiftin e bashkëshortëve të cilët rrëzohen disa metra më tej.
Fatmirësisht karroca nuk përplaset nga makina por nga forca shtytëse rrëzohet mbi vizat e bardha së bashku me fëmijën në të . Disa sekonda më pas kalimtarë të rastit afrohen dhe I japin ndihmën e parë të aksidentuarve derisa mbërriti ambulanca.
Burime nga spitali thanë se foshnja 3 muajsh nuk ka pësuar dëmtime ndërsa prindërit kanë dëmtime të shumta por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Dy orë pas aksidentit policia rrugore e Tiranës arrestoi shkaktarin e aksidentit Ajas Sulejmani në një prej spitaleve private në Kryeqytet pak kilometra nga vendngjarja.
Ai rezulton I gjobitur dhe shoqëruar disa herë nga ana e policisë për shkelje të kodit rrugor. në polici u shoqëruan dhe disa të afërm të drejtuesit të mjeti për presion ndaj efektiveve në vendngjarje
Top Channel