C

Bujqit e Kosovës po arrijnë të sigurojnë gjysmën e sasisë së grurit që nevojitet ndërkohë që mbeten të varur nga importi. Por përfaqësues të Shoqatës së Mullistëve, kanë siguruar se Kosova për këtë vit nuk do të ketë krizë për grurë. Kryetari i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu thotë se ka grurë të mjaftueshëm deri në në korrik dhe pastaj vjen sezoni i të korrurave për grurë.

“Grurë për mullisë ka të mjaftueshëm deri në sezonin e ardhshëm, deri në korrik… Pastaj vjen sezoni i të korrurave për grurë. Në këtë vit nëse ka rendiment të mirë, ka të mbjelle pak më shumë se në vitin e kaluar dhe mund të kemi 50-60 përqind plotësim të nevojave për treg… Kanë filluar edhe importet e grurit prej Serbisë nga dita e martë, më 4 maj… Është më i lirë çmimi i grurit nga Serbia se sa që ka qenë prej tregut bullgarë… “

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari thotë se deri tani nuk ka vështirësi për import të grurit dhe miellit.

“Deri tash nuk kemi hasur në mangësi për furnizime, por kemi pasur parregullsi te sektori i vajit ku kemi gjetur depot që kanë fshehur furnizimin dhe këto manipulime janë ato që po sjellin më shumë panik për furnizim dhe po sjellin më shumë pasiguri. Ne po ashtu po veprojmë edhe me rritjen e rezervës shtetërore në 10 milionë euro. Dhe rezerva është jo më për çështje ditësh, por për çështje muajsh. Deri më tash kemi siguruar mjaftueshëm, por edhe në korrik vijnë kultivuesit tonë grurit dhe ofrojnë edhe më shumë për rezervën shtetërore… ‘

Sa i përket çmimeve, ministrja Hajdari thotë se janë duke monitoruar tregun dhe për çdo parregullsi do të marrin masa. Pushtimi  rus në Ukrainë ka thelluar ndikimet e saj në tregjet ndërkombëtare dhe një krizë e tillë ka goditur edhe ekonominë e Kosovës duke sjellë shtrenjtim për të gjitha produktet.

Top Channel