Presidenti i ri/ Rama thirrje opozitës: Nuk po kërkojmë konsensus, por President dinjitoz. Nuk negociojmë me ‘non grata’

07/05/2022 11:09

Maxhoranca duket se nuk e ka ende një emër për Presidentin e Republikës, kjo sipas fjalës së mbajtur sot nga kryesocialisti Rama, në mbledhjen e Asamblesë kombëtare të PS.

Ai apeloi sërish opozitën për konsensus me qëllim gjetjen e një presidenti të denjë për shqiptarët, por ishte i prerë, kur tha se nuk do të pranojë asnjë emër që vjen nga ‘non grata’ dhe shpura e tij.

“Ne kemi qënë në dy procese për zgjedhjen e presidentit kur ishim në opozitë. Ne nuk ishim naiv të mendonim se duke shkuar në tryezë do merrnim presidentin por ne bëmë detyrën tonë. Nuk vumë barriera, e kritere, se në fund të ditës emri është kriter. Unë kriter do vija të ketë lindur në hënë, të jetë rritur në hënë, ky do ishte perfekt po nuk e ke.

Thirrja imë është të mos humbasim kohë, jemi në këtë proces, jo për të larë gojën, as nuk jemi për të bërë sikur po kërkojmë konsensus. Na duhet një presdient që mos na turpërojë kur del në tv apo kur flet për malin me Gropa. Pra jemi në kërkim të një presidenti apo presidenteje, që të jetë përtej nesh. Ndaj e kemi thënë që figurat e PS, s’mund të jenë dot pjesë e kësaj. Nëse ata do të sjellin një propozim bindës, menjëherë do e pranojmë pa problem, po s’mund të jetë figurë që vjen nga rrugët e qametit.

Dhe njëkohësisht duhet të zgjedhim Avokatin e Popullit. Dhe u takon opozitën, dhe përjashtoj non gratën e madhe dhe shpurën e tij. PS nuk do njoh asnjë vendim dhe asnjë kërkesë që buron nga ai drejtim. Ai është drejtim më të cilin politika e PS, nuk duhet të ketë asnjë lidhje. Të hidhen përpjetë të zbresin nuk do njohim asgjë që do burojë nga ai burim i së keqes së madhe të vendit tonë. Jo për presidentin po as për rojen e cilësdo godinë, apo një hu gardhi për ta vënë në fund të lanës, nuk marrim opinion nga ai burim.” përfundoi Rama.

Top Channel