Çdo marrëveshje paqeje me Rusinë do të varet nga tërheqja e forcave ruse në pozicionet e tyre të para pushtimit, deklaroi presidenti i Ukrainës.
Duke folur për një institut në Londër, Volodymyr Zelensky tha se ky është minimumi që vendi i tij mund të pranonte. Megjithatë, duke folur nga Kievi në institutin Chatham House në Londër, Zelensky tha se nuk mund të vihej në dyshim që Rusia nuk ka për t`i mbajtur territoret e pushtuara që prej fillimit të agresionit.
“Për të ndalur luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, hapi i parë duhet të jetë rikthimi i situatës që nga 23 shkurti“, tha ai në përgjigje të një pyetjeje nga BBC, duke iu referuar një dite para fillimit të luftës.
“Unë u zgjodha nga populli i Ukrainës si president i Ukrainës, jo si president i një mini Ukraine. Kjo është e rëndësishme të theksohet”, shtoi ai.
Edhe me herët kishte pretenduar se do të kërkonin mbrapsht edhe Krimenë, Zelensky këtë radhë nuk e përmendi gadishullin.
Referenca për situatën e 23 shkurtit sugjeron se Ukraina mund të mos insistojë në rimarrjen e Krimesë që u aneksua nga Rusia tetë vjet më parë.
Rusia aktualisht po lufton për të marrë kontrollin e plotë të qytetit të Mariupol. Ka ende forca ukrainase së bashku me disa civilë në fabrikën e madhe të çelikut Azovstal të qytetit juglindor, i cili i është nënshtruar një sulmi të furishëm rus.
Marrja e Mariupolit do të ishte arritja më e madhe e Rusisë në dy muajt e luftës dhe do t’i jepte Presidentit të Rusisë Vladimir Putin diçka për të festuar më 9 maj, që është Dita e Fitores në Rusi ditën kur vendi shënon fitoren sovjetike ndaj nazistëve në Luftën e Dytë Botërore.
Zelensky e ftoi kancelarin gjerman Olaf Scholz ta vizitojë vendin e tij pikërisht në këtë datë. Prania e liderit gjerman në Ukrainë në ditën kur Rusia përkujton sakrificën sovjetike në Luftën e Dytë Botërore do të ishte shumë simbolike, u shpreh ai.
Top Channel