Greqia është tronditur përsëri nga një krim pasioni në qytetin e Kavalës, ku një 55 vjeçar ka vrarë nga xhelozia bashkëshorten e tij 43 vjeçe.

Ngjarja tragjike ka ndodhur në farmacinë e gruas në një fshat 30 minuta larg qytetit, ku bashkëshorti ka shkuar dhe e ka mbytur viktimën me duart e tij. Më pas me një thikë është munduar të vrasë veten, duke shkaktuar plagë në duar dhe në grykë dhe afër mesnatës ka lajmëruar policinë.

Sipas të afërmve çifti, që kishin edhe dy fëmijë të moshës 6 dhe 10 vjeç, ka pasur probleme kohët e fundit dhe bashkëshortja kishte kërkuar divorcin.

Këtë ka dëshmuar edhe vrasësi gjatë dëshmive të para që ka dhënë nga spitali ku mjekohet nën mbikëqyrjen e forcave policore: E vrava se donte të ndahej dhe kisha frikë se nuk do më linte të shihja fëmijët.

Është vrasja e tretë e një gruaje brenda këtij viti, ndërsa gjatë vitit të kaluar Greqia regjistroi 17 vrasje grash nga partnerët e tyre dhe 39 gjatë viteve 2019-2020. Si një nga vrasjet më të bujshme është cilësuar ajo e 20 vjeçares  me origjinë britanike Caroline Crouch të cilin bashkëshorti i saj e ka mbytur pranë foshnjës së tyre 11 muajshe.

Në vrasjet që kanë pasuar,mes viktimave kanë qenë edhe dy gra shqiptare, 31 vjeçarja Anisa Shehu e vrarë me thikë nga i shoqi në një lagje të Athinës dhe Elona 36 vjeç nga Lakonia, të cilën bashkëshorti e mbyti teksa dy fëmijët e tyre flinin paqësisht në dhomën ngjitur.

Të gjitha këto krime ndaj grave prej partnerëve të tyre  kanë sensibilizuar shoqërinë civile duke e bërë fenomenin e femicidit një prej temave më të prekura të mediave greke dhe një prej çështjeve më të rëndësishme.

Shumë organizata të të drejtave të njeriut dhe aktivistë kanë kërkuar vazhdimisht  ndryshimin e mentalitetit patriarkal të shoqërisë greke nëpërmjet informimit dhe edukimit shkollor si dhe krijimin e institucioneve të posaçme që mbështesin gratë e abuzuara nga partnerët.

FOTO GALERI
1/1
Greqia është tronditur përsëri nga një krim pasioni në qytetin e Kavalës, ku një 55 vjeçar ka vrarë nga xhelozia bashkëshorten e tij 43 vjeçe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA