Sanksionet ekonomike të vendosura nga vendet perëndimore ndaj Rusisë kanë ndërprerë tregtinë dhe kanë ngrirë gati gjysmën e rezervave shtetërore ruse në ar dhe valuta të huaja, duke e vendosur vendin në një pozicion shumë të vështirë ekonomik.
Analistët thonë se mungesa e furnizimeve do të fillojë të ndikojë tek industria ruse në muajt në vazhdim.
Për momentin, qeveria ruse ka arritur të ndalë rënien e monedhës së saj, rublës, dhe analistët thonë se Moska po e përdor këtë si një mjet propagande për konsum mbarëkombëtar.
“Pikë së pari, Rusia po përpiqet të shmangë sanksionet bankare ndërkombëtare dhe po përpiqet të fuqizojë rublën. Mendoj se është gjithashtu një përpjekje për t’i treguar publikut rus se Vladimir Putini vazhdon ta ketë gjendjen nën kontroll dhe se ai mundet ta bëjë rublën një valutë të dëshirueshme, megjithë rënien e saj dramatike, dhe se është ai që vazhdon t’i përcaktojë rregullat”, thotë Agnia Grigas, analiste për energjinë dhe shkencat politike.
Autoritetet bankare ruse, të gjendura nën një presion të lartë që kur Rusia sulmoi Ukrainën, kanë paralajmëruar që në fillim për vështirësitë që do të pasojnë: një skenar inflacioni dhe mungesash në treg që do të intensifikohen në muajt e ardhshëm.
“Në rast të një skenari negativ, kur inflacioni të fillojë të rritet , politika jonë monetare do të përpiqet ta ngadalësojë atë rritje”, tha Elvira Nabiullina, guvernatore e Bankës Qendrore Ruse.
Përpjekjet e Evropës për t’i dhënë fund varësisë nga importet energjitike ruse përfaqësojnë një rrezik të madh për Moskën. Megjithëse deri rishtazi konsiderohej diçka e pamundur, fundi i kësaj varësie është tashmë më afër realizimit se ndonjëherë më parë.
“Mendoj se munden ta heqin karburantin rus brenda një ose dy vitesh. Mendoj se është e arritshme për çdo vend të Bashkimit Evropian dhe për shumë vende të tjera”, thotë zonja Grigas.
Veprimet e Rusisë në Ukrainë janë ndëshkuar politikisht nga vendet e tjera. Muajt në vazhdim do të përcaktojnë nëse Moska do të izolohet edhe ekonomikisht./VOA
Top Channel