Rama kritikon Bankat. Kryeministri: Sorollatin qytetarët nëpër radhë. Janë mbrapa me shërbimet on line

06/05/2022 15:11

Kryeministri Edi Rama kërkoi përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve prej bankave të nivelit të dytë, duke iu sugjeruar shtimin e shërbimeve dixhitale siç ndodhi përmes asaj që e quan revolucioni dixhital, nga ku 95 % e shërbimeve shteti i jep online.

“Jemi ku thërret qameti në shërbimet online të bankave. Çdo muaj dhe saktësisht në datën 14 shumë sipërmarrje shkojnë nëpër banka për të paguar Tvsh-në. Prapë çdo datë 20, shkojnë nëpër banka për të paguar detyrimet shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve të tyre.  Qytetarët po ashtu, derë më derë të bankave “jo ke radhën ti, jo kam radhën unë”, sikur është radha e dikurshme e qumështit, apo radha e deridjeshme e sporteleve të shtetit që ishin një trup dhe faqe e zezë.  

Ndërkohë, duke qenë se qytetarët sot kanë gjithë këtë akses të lehtë dhe gjithë këtë shpejtësi të madhe në marrjen e shërbimit nga e-albania është normale që të ankohen gjithmonë e më shumë për bankat. Qoftë qytetarët, qoftë dhe sipërmarrjet.”

Shqetësimi kryeministrit përfshiu edhe komisionet bankare të shërbimeve duke dhënë një shembull nga sistemimi i ri i biletave elektronike të autobusëve që nis në Janar 2023.

“Në situatën aktuale qeveria subvencionon mbi 5 milionë euro, që çmimi i biletës të mos rritet për ata që marrin autobusin, qoftë brenda qytetit qoftë jashtë qytetit si rezultat i rritjes së çmimit të naftës. Tani si mundet neve t’ju themi atyre që “do ta merrni online shërbimin dhe do paguani komision”? Çfarë është kjo?”

Top Channel