Berisha: Protestë me qirinj. Ish-kryeministri kërkon reagim për ngjarjen e Kavajës

06/05/2022 15:01

Sali  Berisha kërkoi “kokën” e ministrit  të Brendshëm Bledi Çuçi  për ngjarjen tragjike  në  Komisariatin  e Kavajës. 

Po, pse pas  misterit të  vetëvarjes  së të riut Ilvi  Meta,  Sali Berisha  sheh  përgjegjësi politike që duhet te nisë në nivel ministri?

A e vari dikush atë me kordonin e kapuçit të tutave? Nuk përjashtohet në mënyrë absolute.  Nuk përjashtohet në mënyrë absolute, por ajo që është kriminale është heshtja cinike e të gjitha organeve shtetërore para këtyre akteve të cilat mirfilltas përbëjnë vrasje shtetërore.  Duke dënuar këtë qëndrim cnjerëzor të Edi Ramës, ministrit të tij familjar Cucit, drejtorit të policisë Nano kërkoj dorëheqjen e Ministrit Cuci.  Nesër në 20:00 pranë komisariteve të ndizen qiri një protestë e heshtur paqësore: Stop vrasjeve në komisariate”, tha Berisha.

Kavaja nuk është rasti i  vetëm ku Sali Berisha sheh të lidhur krimin me politikën.  Në ndihmë thirri kujtesën teksa risolli në  vëmendje   vrasjen e  simpatizantit  të  Partisë Socialiste  Pjerin Xhuvani   pak ditë  para zgjedhjeve parlamentare te 2021-shit. Për betejën e përgjakur politike te Elbasanit,  Sali Berisha ngriti gishtin e akuzës  drejt dy drejtuesve  politik të  fushatën së Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në  kete qark.

Kur u kërkua hetimi i vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan u gropos komisioni për hetimin e zgjedhjeve, me urdhër të Bashës. Përgjegjësi për ngjarjen kanë Gaz Bardhi dhe Taulant Balla. Ata e morën prokurorin që gënjeu shqiptarët, se nuk kishte material zgjedhore në makinën e militantit të Ballës. Këtë e sollën prokuror në SPAK dhe ra paqja midis tyre”, tha Berisha.

Por, për Gazmend Bardhin  që jep një version tjetër të ngjarjes, hetimi  për zgjedhjet u bllokua nga Edi Rama. I gatshëm për zbardhjen e vrasjes së  Elbasanit për të cilën u arrestua shoqëruesi i tij  Arbër Papleka, Bardhi nuk u mjaftua me aq. Ai i kujtoi  Sali Berishës ngjarjen kriminale dhe korruptive të 14 viteve më parë ku përflitet familja e tij.

Ngjarja e Elbasanit nuk është ngjarja e Gërdecit, ku mbetën të vrarë 26 qytetarë, nga babëzia e familjarëve të Sali Berishës për të nxjerrë para të pista nga kudo. Ngjarja e Elbasanit ishte pasojë e një beteje të pabarabartë mes demokratëve që luftonin për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dhe bandave të Edi Ramës. Me qëndrimin e sotëm për ngjarjen e Elbasanit, Sali Berisha vetëm sa amnistoi krimin e bandave të Edi Ramës dhe Taulant Ballës”, tha Bardhi.

Top Channel