Video dramatike tregon luftën me armë mes grabitësve dhe shitësit të cigareve në SHBA (fotot)

05/05/2022 18:23

Një video shokuese nga një dyqan cigaresh në Kaliforni tregonte dje sesi roja e sigurisë së dyqanit të cigareve nxorri menjëherë armën duke qëlluar ndaj grabitësve të armatosur, në incidentin e të martës ku një person mbeti i vdekur.

Punonjësi shihet që qëndron prapa banakut në dyqanin e cigareve, duket se merr një të shtënë në fytyrë para se të nxjerrë armën nga brezi për të qëlluar ndaj aspirantëve për grabitës, shihet në videon e publikuar nga policia e Los Angeles County .

Katër sulmuesit duken të gjithë të armatosur dhe rrëzohen mbi njëri-tjetrin teksa përpiqen të largohen nga dyqani duke vijuar të qëllojnë.

Punonjësi që mban një jelek ku shkruhet “Security” përpiqet të mbrohet nga plumbat teksa vitrinat rreth tij bëhen copë nga të shtënat, shihet në videon pa zë.

Policia tha se roja kishte arritur të shpëtonte megjithë kasaphanën që e rrethonte, por u trajtua në spital për plagë plumbash në kokë e në qafë.

Dy grabitës të identifikuar si Kahlel Lundy, 23 vjeç, dhe Keith Rachel, 21, mbeten të lirë dhe po kërkohen për vrasje, thuhej në njoftimin e policisë .

Grabitja e dështuar kishte ndodhur të martën në 18:54 tha policia. 30 minuta më vonë oficerët kishin shkuar në spitalin lokal Martin Luther King ku po trajtohej një nga grabitësit që ishte qëlluar nga roja.

Një person i paidentifikuar vdiq nga plagët, raportonte rrjeti Fox News, ndërsa një grabitës i dytë u arrestua të mërkurën, thuhej në njoftim.

FOTO GALERI
1/3
Një video shokuese nga një dyqan cigaresh në Kaliforni tregonte dje sesi roja e sigurisë qëllonte ndaj grabitësve të armatosur

Top Channel