Rithemelimi: Alibeaj tradhëtar, legjitimon presidentin e Ramës kundrejt pazarit

05/05/2022 14:09

Komisioni i Rithemelimit ka reaguar ditën e sotme mbi mbledhjen e thirrur nga Enkelejd Alibeaj lidhur me procedurën për zgjedhjen e presidentit të ri.

Në një deklaratë për media nga selia blu, zëdhënësja e ‘Rithemelimit’ Floriana Garo ka akuzuar Alibeajn duke e quajtur “tradhëtar” teksa ka thënë se ai s’ka më asnjë autoritet për të thirrur grupin parlamentar pasi është shkarkuar.

“Lidhur me disa veprime individuale të fundit të deputetit Enkelejd Alibeaj.  Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokrtike deklaron sa vijon:
1-Pas shkarkimit nga çdo detyrë nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i datës 30 Prill 2022, deputeti Enkelejd Ailbeaj nuk përfaqëson as Partinë Demokratike, e as grupin e saj parlamentar.
Me gjithë këtë, ai vazhdon të përfshihet në farsën e turpshme të Edi Ramës të negociatave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me opozitë të emëruar prej tij. Deputeti Enkelejd Alibeaj dhe cilido që merr pjesë në farsen elektorale të Edi Ramës, përfaqëson thjesht veten dhe problemet e tij dhe kurrë opozitën shqiptare.
Deputeti Alibeaj, po përpiqet që të zgjedhë nën-dorë presidentin e Edi Ramës ose më së paku ta legjitimojë atë përkundrejt ndonjë pazari të tij. Kjo përbën tradhëti ndaj qindra mijra zgjedhësve shqiptarë të cilëve, Edi Rama bashke me patronazhistët, paratë e drogës dhe krimit, bandat e lidhura me qeverinë dhe duke përdorur të gjithe narkoshtetin, u rrëmbeu votën.
Për rrjedhojë, Edi Rama nuk ka vota të ligjshme për të zgjedhur një president legjitim me votat e tij.
Rikujtojmë këtu, se me urdhër të Edi Ramës dhe në pazare me këtë të fundit, Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj për herë të parë në historinë e Parlamentit Shqiptar, shuan pa u mbledhur, Komisionin Hetimor parlamentar të votuar në tetor 2021 për zbardhjen e masakrës zgjedhore të 25 prillit.
Qëndrimi i Partisë Demokratike për zgjedhjen e Presidentit është i qartë. 
Partia Demokratike angazhohet në këtë proces vetëm në rastin që pseudo-mazhoranca vendos të pranojë për President Republike kandidatin e opozitës së vërtetë, e jo opozitës së emëruar, i cili duhet të jetë një emër konsensual i forcave politike opozitare.
2- Thirrja nga ana e deputetit Alibeaj, me porosi të Ramës, e mbledhjes së Grupit Parlamentar, është një fyerje e rëndë për të gjithë demokratët dhe një akt i paligjshëm. Alibeaj, si deputet i thjeshtë, nuk ka më asnjë autoritet për të thirrur mbledhje të grupit parlamentar.
Komisioni i Rithemelimit, i bën thirrje të gjithë deputetëve të PD të injorojnë këtë thirrje dhe të mos bien pre e lojrave Rama-Basha-Alibeaj me fasadë opozitë dhe axhendës së tyre antidemokratike. 

3-Thirrja e mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike bëhet vetëm nga Kryesia e Grupit Parlamentar që përbëhet nga anëtarët e saj dhe nënkryetarët e grupit parlamentar. 
4-Kryesia e grupit përcakton edhe rendin e ditës të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
5- Mbledhja e Grupit Parlamentar të PD pas shkarkimit të zotit Alibeaj nga Kuvendi i datës 30 prill 2022 deri në zgjedhjen e Kryetarit të ri, do të kryesohet nga nënkryetarët e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
 
Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike dënon si mafjoze tipike dhe fyese, për shqiptarët dhe institucionin e nderuar të Presidentit të vendit, praktikën antikushtetuese që Edi Rama me opoziten e tij të emëruar po ndjekin për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Top Channel