Rama: 1 milionë euro për Ukrainën. Konferenca e donatorëve: Ndihma jonë në OKB, por edhe municione për ushtrinë ukrainase

05/05/2022 13:40

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën para pak minutash në Konferencën e Donatorëve për Ukrainën, e bashkëorganizuar nga Kryeministri i Polonisë Mateusz Moraëiecki dhe Kryeministrja e Suedisë Magdalena Andersson, në partneritet me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se Shqipëria synon të kontribuojë në këtë konferencë me një million euro, pavarësisht se kjo gjë nuk do të ndryshojë faktin e luftës dhe të rindërtimit.

Kryeministri tha se Shqipëria do të bëjë më të mirën për të përmbushur detyrimin ndaj miqve ukrainas duke synuar fundin e luftës dhe fillimin e paqes.

Fjala e Ramës:

Do të them shumë pak fjalë, duke e nisur nga pozita e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku jemi bashkënismëtarë të rezolutës për Ukrainën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vende të tjera që e mendojnë njësoj. Po japim kontributin tonë për organizimin e takimeve dhe hartimin e dokumenteve lidhur me luftën dhe në mbështetje të plotë të Ukrainës.

Nga ana tjetër, në aspektin dypalësh kemi qenë nga të parët që kemi dhënë kontributin tonë me municione për forcat e armatosura të Ukrainës dhe në të njëjtën kohë kemi miratuar të gjithë kuadrin e nevojshëm ligjor për të lejuar qytetarët ukrainas që të vijnë në vendin tonë për periudhat kohore për të cilat kanë nevojë ose për të cilët duan të rrinë.

Në këtë konferencë donatorësh Shqipëria synon të kontribuojë me 1 milionë euro. E di që kjo nuk do të ndryshojë fatin e luftës e të rindërtimit, por jemi shumë të nderuar që jemi këtu dhe jam shumë mirënjohës Kryeministrave të Polonisë e të Suedisë që na bënë pjesë të saj.

Deri në fund ne do të bëjmë më të mirën për të nderuar detyrimin tonë ndaj miqve tanë Ukrainas dhe popullit ukrainas, duke synuar sigurisht atë çka të gjithë këtu synojnë, që të kemi një fund të kësaj lufte e të shohim paqen të mbërrijë sa më shpejt të jetë e mundur.

Konferenca, me pjesëmarrje të nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe qeverive i dedikohet qëllimit të përbashkët për të mbështetur reagimin humanitar të OKB-së në Ukrainë dhe për të diskutuar hapat e mëtejshëm drejt mbështetjes së përpjekjeve të Ukrainës për të trajtuar sfidat ekonomike të krijuara nga lufta.

 

Top Channel