Operacion spektakolar sigurie i ekstradimit të kreut kolumbian të drogave drejt SHBA (video-foto)

05/05/2022 16:23

Kreu i akuzuar i një karteli të frikshëm kolumbian të trafikut është ekstraduar sot drejt SHBA gjatë një “spektakli televiziv” me masa të frikshme sigurie pranë kryeqytetit Bogota.

Dairo Antonio Usuga David shihej i blinduar nga qindra ushtarë teksa ngjitej në avionin drejt SHBA.

Kolumbiani i njohur ndryshe si ‘Otoniel’ konsiderohet si kreu i kartelit “Gulf” dhe ishte një prej më të kërkuarve në vend, deri para kapjes së papritur në fund të vitit të shkuar.

Ai erdhi sot në aeroport me një mjet të blinduar i shoqëruar nga dhjetra policë e ushtarakë të armatosur.

Presidenti kolumbian Ivan Duque e ka krahasuar Usuga David me ish-kreun famëkeq të drogave Escobar, dikur drejtues i kartelit kolumbian Medellin.

Duque shtonte të tjera akuza për të ekstraduarin që do të gjykohet nga zyrtarët në SHBA: “Ai është jo vetëm një trafikant i rrezikshëm, por vrasës i liderëve shoqërorë, abuzues seksual dhe vrass policësh”.

Kolumbia përballet prej disa dekadash me një luftë ndaj trafikantëve të drogave, të shpallur nga presidenti Duque, por që nga kritikët e tij është quajtur një fasadë force mes korrupsionit të gjerë të zyrtarëve të vend.

Otoniel raportohet se prej dekadash kishte paguar rryshfet te zyrtarët shtetërorë duke formuar aleanca ilegale me politikanë të djathtë e të majtë.

I veshur me kokore dhe jelek anti-plumb ai u zhvendos dje nga burgu në kryeqytetin Bogota drejt një fushe ajrore të transportit ushtarak.

Otoniel raportohet se ka trafikuar 180 deri në 200 ton kokainë në vit, dhe autoritetet thonë se është përgjegjës për qindra vrasje të forcave të sigurisë.

Por ai kërkohej dhe në SHBA për krime si trafik drogash, konspiracion dhe zotërim ilegal armësh.

Avokatët e Otoniel kishin kërkuar ndalimin e ekstradimit të tij dhe kërkuan që ai të japë dëshminë për konfliktin e brendshëm të Kolumbisë duke zbuluar lidhjet mes ushtrisë, politikës dhe grupeve të armatosura të trafikut.

Kolombia kishte ndaluar praktikën e ekstradimeve drejt SHBA në vitin 1991 por ajo u rikthye në vitin 1997.

Zyrtarët thanë se Otoniel ishte kapur në një operacion të gjerë ku u përfshinë qindra njerëz dhe dhjetra mjete ajrore, pa dhënë detaje për kohën dhe vendin e ngjarjes.

FOTO GALERI
1/6
Dairo Antonio Usuga David shihej i blinduar nga qindra ushtarë teksa ngjitej në avionin drejt SHBA.

Top Channel