Kurti pas takimit: Vuçiç nuk ndryshon. Scholz: Serbia të njohë Kosovën!

05/05/2022 12:26

Pas darkës jozyrtare të shtruar në Berlin, ku i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, priti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçic, kreu i ekzekutivit kosovar bëri të ditur po ashtu se takimi i radhës nuk do të jetë në nivel të liderëve, por në nivel kryenegociatorësh.

Në një deklaratë për RTK-në, Kurti theksoi se qëndrimet e Vuçiçit janë të vjetra.

“Në pallatin Borsig në periferi të Berlinit u mbajt takimi i tretë me lehtësimin  apo ndërmjetësimin e  Lajçak, i cili ishte një parapërgatitje për javën e ardhshme kur në  13 maj, kryenegociatorët tanë takohen në Bruksel. Qëndrimet e presidentit të fqinjit tonë verior janë të vjetra dhe insistimi im është natyrisht për një marrëveshje të detyrueshme që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona, duke pasur në qendër njohjen reciproke. Por në këtë aspekt, nuk mund të them se ka përparim. Pra, nuk ka distancim nga Milloshevici, nuk ka distancim nga Putini, dhe përveç që ka qëndrime të vjetra, ka edhe sjellje të çrregullta do të thosha.”

Kurti shtoi se tashmë, edhe faktorët ndërkombëtarë e kanë të qartë se është Serbia ajo e cila duhet të ndryshojë, në mënyrë qe të ketë zgjidhje e marrëveshje.“Po e ritheksoj se  qëndrimet janë të vjetra dhe kjo është arsyeja se pse nuk mund të kemi një marrëveshja të re çfarë i nevojitet jo vetëm raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe Ballkanit në përgjithësi e do te thosha edhe Bashkimit Europian”, nënvizoi ai. Sipas kryeministrit kosovar, agresioni rus në Ukrainë i ka shtuar edhe më shumë  mosmarreveshjet mes Kosoves e Serbise. Përpara takimit me Lajcak, si ai ashtu edhe Vucic patën takime të ndara në Berlin me kancelarin gjerman Olaf Scholz, i cili theksoi pas bisedës me Kurtin se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Top Channel