Pozicioni politik i Serbisë nuk ka qenë “kurrë më i rëndë” dhe i komplikuar se kaq, pohoi presidenti serb Aleksandar Vucic në Berlin, pas një takimi me ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Komentet e tij erdhën ne vazhden e deklaratave të presidentit rus, Vladimir Putin, i cili në takimin që pati në Moskë me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, e krahasoi rastin e Kosovës me atë të Donetskut dhe Luhanskut. Situata në të cilën ndodhet Serbia, duke marrë parasysh krizën në Ukrainë, tha Vucic, është “pothuajse e pamundur”.

Duke komentuar luftën dhe qëndrimin e Beogradit të gjendur “mes dy zjarreve”, ai e nënvizoi se Serbia është sot në një pozitë mjaft të vështirë ndërsa presioni ndaj saj është i madh. “Në ditën e tretë të sulmit në Ukrainë, ne e kemi bërë të ditur pozicionin tonë strategjik. Serbia është në të njëjtin pozicion edhe në ditën e 71-të”, u shpreh Vucic.

Megjithatë, kur u pyet nëse Serbia do të bëjë një kthesë në politikë pikërisht për shkak të trysnisë nën të cilën ndodhet, ai theksoi se vendi i vet është në rrugën e integrimit europian dhe nuk devijon prej saj. Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka ndërmarrë sanksione kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Top Channel