Zelensky: Do rimarrim Krimenë. Bjellorusia dërgon ushtrinë në “kufi”

04/05/2022 12:57

Rikthim të plotë territorial për Ukrainën, përfshirë Krimenë, Volodymyr Zelensky paraqiti tre objektiva të forta në prononcimin e tij për Wall Street Journal: ndalimin e avancimit të Rusisë, rimarrjen e territoreve dhe rikthimin e të gjithë sovranitetit territorial të vendit përmes diplomacisë.

Ukraina nuk do të tërhiqet, tha kreu i shtetit duke nënvizuar bindjen e plotë se fitorja do ti takojë vendit të tij. Zelensky e akuzoi më tej Rusinë për shkelje të marrëveshjeje të evakuimit në Mariupol.

 “I rinisën sulmet atje. Vazhdojnë bombardimet dhe të shtënat. Na duhet një armëpushim i vërtetë në atë zonë”, tha Zelensky.

Rusia goditi me raketa të martën fabrikën e çelikut “Azovstal” në Mariupol, një zhvillim që erdhi pas prishjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga OKB. Ndërkohë në fabrikë ka ende civilë që vazhdojnë të jenë të bllokuar.

Megjithatë, disa dhjetëra të evakuuar që arritën të largoheshin nën kujdesin e OKB-së dhe Kryqit të Kuq në fundjavë, kanë mbërritur në një zonë relativisht më të sigurt, në qytetin e Zaporizhias, nën kontrollin e Ukrainës.

Forcat e armatosura të Bjellorusisë ndërkohë kanë mbjelle shqetësimin me fillimin e stërvitjeve ushtarake në shkallë të gjerë.

“Është planifikuar që në testimet (për gatishmërinë luftarake) të përfshihen një numër i rëndësishëm i makinave ushtarake, gjë që do të shkaktojnë ngadalësim të trafikut në rrugët publike”, tha ministria bjelloruse përmes një deklarate.

Manovrat mbahen në kohën kur po vazhdon pushtimi rus i Ukrainës. Bjellorusia, që është në kufi me Ukrainën, është aleate e afërt e Rusisë.

Rusia, që ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, thotë se po kryen “operacion të posaçëm ushtarak”, por sipas disa raporteve, presidenti rus Vladimir Putin në ditën e fitores mbi nazizmin, në 9 maj, mund të shpallë mobilizimin e përgjithshëm ushtarak, duke fashitur shpresat për një fund të shpejtë të konfliktit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA