Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pritet të takohen sonte në një darkë joformale në Berlin, që do të ishte takimi i parë i tyre pas korrikut të vitit të kaluar.

Të dy udhëheqësit po qëndrojnë në Berlin ku zhvilluan takime të ndara me kancelarin gjerman Olaf Scholz, në të cilat u diskutua, siç thuhet, bashkërendimi i reagimeve të mëtejshme ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë si dhe bashkëpunimin rajonal.

Kancelari gjerman Scholz tha pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi do të hapte rrugën për integrimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.

“Qëllimi i bisedimeve të Brukselit është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme midis dy vendeve, që u hap të dyja vendeve perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe kontribuon për qëndrueshmërinë rajonale, tha kancelari Scholz, sipas të cilit marrëveshja do të përfshinte shumë hollësi, “por natyrisht këtu bën pjesë edhe ajo që ka bërë Gjermania prej kohësh, pra është njohja e Kosovës”.

Kancelari Scholz ka ftuar në Berlin të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili do të jetë mikpritësi i takimit të përbashkët me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç në orët e mbrëmjes. Takimit pritet t’i bashkohet edhe i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Kryeministri Kurti tha se bisedimet duhet të jenë të përqendruara në njohjen e ndërsjellë “pra jo në njohje që vjen në fund të një procesi të gjatë, por si dialog për marrëveshje me njohje reciproke në qendër”.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha ndërkaq se “beson që do të kemi fuqi të përparojmë në bisedimet me Prishtinën”, në takimin e sotëm.

Diplomatët perëndimor ka kohë që janë vënë në përpjekje për të siguruar një takim të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nga takimi i sontëm presin një shtendosje që do të ndihmonte ripërtëritjen e procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet palëve.

Në fillim të javës së kaluar, ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit, Karen Donfried, tha se normalizimi është rruga për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Rusisë për destabilizimin e Ballkanit.

Serbia është i vetmi vend i rajonit që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Kancelari gjerman tha se lufta është e papranueshme ndërsa “presidentit Vuçiç ia përcolla edhe shqetësimin tim për situatën në Bosnjë. Është shumë e rëndësishme të ruhet qëndrueshmëria atje”.

Agresioni rus në Ukrainë ka nxitur shqetësime për ndikimet e konfliktit edhe në Ballkanin Perëndimor.

“I kam premtuar kancelarit Scholz se Serbia nuk do të jetë shkaktare e asnjë problemi dhe ne e mbajmë fjalën”, tha presidenti serb./VOA

Top Channel