PS, president me Alibeajn. Palët ok për procedurën. Mediu kërkon opozitë “më përfaqësuese”

04/05/2022 15:06

Kryetari Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj u ul përballë shumicës qeverisëse për të dialoguar për presidentin e ri.

Më shumë se sa emri dhe profili kandidatëve, Alibeaj shqetësimin e kishte tek afatet e hapave që do të hidhen në vazhdim.

“Propozimi juaj është që data e sotme të konsiderohet si nisja e procesit dhe data 10 të jetë raundi i parë i votimit. Nuk jam dakord duhet të jetë 7 ditë nga ai moment. Afati më i hershëm është 24 Maj ndërsa kushtetuta thotë që procesi duhet të nisë të paktën në këtë datë për sa kohë afati i përfundimit të mandatit të presidentit është 24 Korriku”.

Taulant Balla e pranoi propozimin Alibeaj por paralajmëroi se do ti qëndrohet strikt afateve kushtetuese në mënyrë mos krijimin e premisave për ta atakuar procesin në gjykatë.

“Bie dakord me propozimin e Alibeajt, por mbledhja të konsiderohet vijuese. Pra data 16 të jetë raundi i parë i zhvillimit të procesit të votimit. Ndërsa data 10 të jetë data e nisjes së procesit. Do ju ftoja të tre kryetarëve. Edhe zotin Alibeajn si kryetari i grupit më të madh opozitar. Që të mundësojmë një dialog parimor për Presidentin

Do të vejmë afat deri në datën 15, të depozitohen emrat. Jo më pak se 20 emra. Asnjë deputet s’mund të firmosë në më shumë se 1 kandidaturë. Në datë 16 Maj në orën 10:00, do të jetë Komisioni i Ligjeve që do të bëjë shqyrtimin. Pastaj do të shkojmë në seancën plenare pasdite.”

Por republikani Fatmir Mediu kryetar i grupit parlamentar Aleanca për Ndryshim,  shqetësimin e kishte diku tjeter.

“Propozimi im i parë është të arrijmë në një marrëveshje që duhet një president mbi palët. Duhet patjetër që të sigurojmë grupet parlamentare. Kemi negociuar dy palët, pozita dhe opozita. Është në interes të negociatave që të ketë një përfaqësi të maxhorancës dhe deputetëve të opozitës.”

E vetmja vlerë e kësaj konference kryetarësh ishte vendimi se negociatat presidenciale do të udhëhiqen vetëm nga tre grupet  parlamentare, ndërkohë prodhoi konsensusin e parë dhe çeljen e dialogut  mes shumicës së Edi Ramës dhe grupit kuvendor PD-s të kryesuar nga Enkelejd Alibeajt për hapat vijues të këtij procesi.

Top Channel