Natën e kaluar, Durrësi ka çelur sezonin turistik me një festë që ka kthyer gjallërinë si rrallëherë në bulevardin kryesor të qytetit. DJ të ndryshëm dhe këngëtarja Eneda Tarifa startuan mbrëmjen e 3 majit deri në mesnatë, me një seri aktivitetesh artistike dhe sportive që do të zhvillohen përgjatë një jave në bregdet.
“Bashkuam forcat për të bërë di♪5ka të bukur. Për mua duhet të jetë i përvitshëm ky event dhe të mos ngelë vetëm te kjo javë çelja e sezonit, po çdo muaj të ketë aktivitete të ndryshme. Edhe sezoni të zgjatet deri në tetor se kemi dhe pushues që vijnë nga vende të ndryshme dhe në shtator e tetor”, tha artisti Altin Tila.
“Është një mënyrë shumë e bukur që ka menduar bashkia për qytetarët e Durrësit”.
“Tani me ardhjen e verës aktivitetet po shtohen dhe ne po kënaqemi”.
“Shumë bukur. Është hera e parë që ka Street Party në Durrës se ne vijmë nga Tirana. Na pëlqen. Shumë bukur”.
Nga zemra e qytetit të Durrësit, në ditët në vazhdim, aktivitetet dhe festat do të zhvendosen në plazhe, ku do të ketë lojëra në rërë, si ping-pong, hark, volejboll, minifutboll ndërsa mbrëmjet do të ofrojnë muzikë.
Pandemia është lënë pas dhe ky sezon turistik, pavarësisht ndikimit negativ të luftës në Ukrainë dhe krizës së çmimeve, sipas operatorëve turistikë, do të jetë i suksesshëm, pasi njerëzit janë të etur për të lëvizur dhe pushuar dhe Durrësi ofron shërbim, argëtim, turizëm detar, arkeologjik dhe kulturor, si dhe oferta shumë të mira turistike për të gjitha kategoritë e pushuesve të huaj e vendas.
Top Channel