Negociatat presidenciale, Rama: Nëse do të ketë kandidaturë të pëlqyeshme ka 100% mbështetjen tonë

04/05/2022 17:23

“Nëse do të ketë një emër të pëlqyeshëm nga PD-ja, do të ketë 100% mbështetjen e PS-së”, kështu tha kryeministri Edi Rama nga selia e Partisë Socialiste në lidhje me emrat që do të garojnë për postin e kreut të shtetit shqiptar.

“Ne nuk jemi ulur në tryezë me paragjykime. Ne do të gjykojmë mbi emra dhe nuk do paragjykojmë se nga vijnë propozimet, përderisa jemi ulur në një tryezë me palë të tjera që nuk janë në të njëjtën vijë fronti me ne, por janë përballë nesh në arenën politike. Ndërkohë që, në ketë çështje jemi në një tryezë kështu që  nuk kemi pse japim përqindje. Nëse do vijë një kandidaturë e pëlqyeshme, do ketë 100% miratimin tonë. Nëse nuk do ketë një kandidaturë të pëlqyeshme, ne do bëjmë propozimet tona. Nëse atyre do u pëlqejë një propozim i yni, do kemi edhe ne 100% apo X % mbështetjen e tyre. Nëse jo, në fund fare, falë ndryshimeve kushtetuese të domosdoshme që u bënë në 2008 dhe që po provohen gjithmonë e më të vlefshme për ecurinë e mëtejshme të vendit, janë më shumë se 71 vota në Parlament dhe Shqipëria do ketë një president normal”, tha Rama.

Konferenca e kryetarëve, e cila u mbajt këtë të mërkurë tregoi se negociatat presidenciale do të udhëhiqen vetëm nga tre grupet  parlamentare, ndërkohë prodhoi konsensusin e parë dhe çeljen e dialogut  mes shumicës së Edi Ramës dhe Grupit Kuvendor të PD-së të kryesuar nga Enkelejd Alibeaj për hapat vijues të këtij procesi.

Kryetari Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj u ul përballë shumicës qeverisëse për të dialoguar për presidentin e ri.

Shqetësimi i Alibeajt ishte afatet e hapave që do të hidhen në vazhdim, se sa emri dhe profile i kandidatëve.

“Propozimi juaj është që data e sotme të konsiderohet si nisja e procesit dhe data 10 të jetë raundi i parë i votimit. Nuk jam dakord duhet të jetë 7 ditë nga ai moment. Afati më i hershëm është 24 Maj ndërsa kushtetuta thotë që procesi duhet të nisë të paktën në këtë datë për sa kohë afati i përfundimit të mandatit të presidentit është 24 Korriku”, tha ai.

Ndërsa kreu i Grupit Parlamentar të PS-së. Taulant Balla e pranoi propozimin e Alibeajt, por paralajmëroi se do t’i qëndrohet strikt afateve kushtetuese në mënyrë qtë mos krijoheshin premisat për ta atakuar procesin në gjykatë.

“Bie dakord me propozimin e Alibeajt, por mbledhja të konsiderohet vijuese. Pra data 16 të jetë raundi i parë i zhvillimit të procesit të votimit. Ndërsa data 10 të jetë data e nisjes së procesit. Do ju ftoja të tre kryetarëve. Edhe zotin Alibeajn si kryetari i grupit më të madh opozitar. Që të mundësojmë një dialog parimor për Presidentin. Do të vejmë afat deri në datën 15, të depozitohen emrat. Jo më pak se 20 emra. Asnjë deputet s’mund të firmosë në më shumë se 1 kandidaturë. Në datë 16 Maj në orën 10:00, do të jetë Komisioni i Ligjeve që do të bëjë shqyrtimin. Pastaj do të shkojmë në seancën plenare pasdite.”

Por republikani Fatmir Mediu kryetar i Grupit Parlamentar “Aleanca për Ndryshim”,  shqetësimin e kishte diku tjeter.

“Propozimi im i parë është të arrijmë në një marrëveshje që duhet një president mbi palët. Duhet patjetër që të sigurojmë grupet parlamentare. Kemi negociuar dy palët, pozita dhe opozita. Është në interes të negociatave që të ketë një përfaqësi të maxhorancës dhe deputetëve të opozitës.”

Top Channel