Agjencia shtetërore ruse e lajmeve ‘RIA Novosti’ njoftoi se Rusia ka ndaluar për një kohë të pacaktuar hyrjen e 63 shtetasve japonezë, përfshirë kryeministrin Fumio Kishida.
CNN raporton se anëtarët e kabinetit të Kishida, përfshirë ministrin e Jashtëm Yoshimasa Hayashi, Ministrin e Mbrojtjes Nobuo Kishi dhe Ministrin e Financave Shunichi Suzuki janë ndaluar gjithashtu të hyjnë në Rusi, si dhe anëtarëve të parlamentit dhe ushtrisë.
“Administrata e Fumio Kishida filloi një fushatë të paprecedentë anti-ruse, duke lejuar retorikë të papranueshme kundër Federatës Ruse, duke përfshirë shpifje dhe kërcënime të drejtpërdrejta”, tha Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë, sipas RIA.
Që nga muaji mars, Japonia ka vendosur një sërë sanksionesh kundër Rusisë, duke përfshirë ngrirjen e aseteve të Presidentit Vladimir Putin dhe anëtarëve të familjes së tij në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.
Javën e kaluar, Rusia paralajmëroi Japoninë për “masa hakmarrëse” nëse zgjeron stërvitjet e përbashkëta detare me Shtetet e Bashkuara pranë kufijve lindorë të Rusisë.
Top Channel