Për ekspertët aktiviteti i guroreve është njëri ndër më shkatërruesit për mjedisin duke e bërë shumë të vështirë rehabilitimin.
“Në 30 vite këtu është bërë një kasaphanë, është ndërtuar kudo, është shfrytëzuar në mënyrë agresive territori. Çështja është se duhet të ketë një pikë zero. E kemi mbushur kupën dhe është momenti të ndërgjegjësohemi për këtë aspekt dhe do të arrijmë një pikë e moskthimit” u shpreh eksperti mjedisit, Klodian Skrame.
Si pasojë katastrofa ekologjike është shumë afër dhe lumenjtë tanë rezultojnë të ndotur me metale të rënda: hekur, nikel, apo kobalt disa heë më shumë se normat e lejuar.
“Reshjet i shplajnë dhe i çojnë në ujra. Kështu që ujrat tona kanë një indikator të thjeshtë dhe lehtësisht të matshëm: që është sasia e lëndëve pezull në ujra, është analizë e thjeshtë që duhet të jetë 25mg/m3 ne mesatarisht e kemi 4-5 herë më të lartë” u shpreh pedagogu, Aleko Miho.
Këto elementë ndotës nëpërmjet zinxirit ushqimor përfundojnë tek njerëzit duke rritur rrezikun për sëmundje të ndryshme.
“Hekuri, kromi, nikeli e bashkë me to kobalti, bakri shplahen në këto zona të zhveshura që depozitohen në ujë. Të gjitha këto bëhen element të asimulueshëm nëse ai ujë konsumohet nga bota e gjallë ujore, vaditje frut, zarzavate e vijne deri tek njeriu” u shpreh pedagogu, Aleko Miho.
“Guroret përdorin eksploziv, mjete të rënda që shkaktojnë zhurma dhe shqetësojnë faunën rreth e rrotull por edhe pluhura jo vetëm për faunën por edhe për popullatat humane shkaktojnë sëmundje, siç është rasti i Fushë-Krujës, në traktin respirator”u shpreh eksperti mjedisit, Olsi Nika.
Ligji detyron që çdo gurore duhet të jetë e rrethuar me një pyll pemësh që të shërbejë si urë pritëse për pluhrat që ngrihen gjatë aktivitetit. Kjo kërkesë nuk zbatohet. Madje, ata që zotërojnë leje shfrytëzimi nuk marrin asnjë përgjegjësi për shkatërrimin përfundimtar të mjedisit.
Ngërçi qëndron në kostot e larta që ka rehabilitimi i asaj që ata lënë pas që janë shumë më të larta se garancia mjedisore që ata paguajnë çdo vit.
Nga ana tjetër numri i pakët i gjobave nga autoritetet mjedisore por edhe kontrollet e organeve ligjzbatuese janë tejet të vogla, duke krijuar kështu një zinxhir që favorizon kompanitë që po gërryejnë mjedisin.
Leja minerara e cila jepet nga Ministria e Infrastrukturës, sipas ekspertëve, është fillesa e një rruge të gjatë kostosh dhe e vendos nën presion ministrinë e mjedisit për ta hequr nga fondi pyjor.
Top Channel