Dikur një kodër e bukur e mbjellë me vreshta e pemë të larta, sot kjo është çfarë ka mbetur nga kodra e Bicaj në Kukës.
Gurorja e hapur në këtë zonë që në vitet 70-të kur nisi ndërtimi i qytetit të ri të Kukësit, u shfrytëzua në mënyrë barbare pas viteve 90-të, duke e zhdukur plotësisht kodrën.
Pa asnjë licencë dhe pa kontroll, firmat ndërtuese të zonës por edhe vetë banorët, morën për rreth 2 dekada cfarë mundën duke e kthyer në një dëshmi të gjallë të babëzisë ndaj natyrës.
Disa vite më parë gërmimet rezultuan fatale për pesë të rinj të fshatrave përreth të cilët mbetën nën gurët e kodrës së Bicajve, si pasojë e shembjes.
“Kanë ndodhur edhe fatkeqësi, pesë të rinj kanë vdekur e unë kam qenë vetë që i kam ndihmuar, u kam dhënë ndihmën e parë i kam transportuar për në spital” u shpreh Kryeplaku i fshatit Bicaj
Por kjo tragjedi nuk i ndaloi as banorët e as firmat e ndryshme që të ndalnin shkatërrimin e zonës. Babëzia për të marrë gurët e shtrenjtë të kësaj kodre nuk ka pasur limit as kur bëhet fjalë për të vdekurit.
Këto janë varrezat e luftës së parë botërore. Por askush nuk u kujdes që ato të mos cënoheshin. Së bashku me gurët, në kamionët e inerteve, u ngarkuan edhe eshtrat e të vdekurve.
“Kur kamionët me inerte u shkarkuan në Has, së bashku me to dolën edhe kockat e të vdekurve” u shpreh Arben Palushi, Bashkia Kukës
Paradoksalisht zhdukja e kodrës së Bicajt ka ndodhur në sy të të gjithëve, banorë e institucione. Të gjitha institucionet e njësisë administrative Bicaj janë të ndërtuara në këmbë të kësaj kodre, e cila aktualisht është kthyer në një humnerë
Masakra nuk është ndalur as kur bëhet fjalë për perimetrin e sigurisë së shkollës, kopshtit apo institucioneve të tjetra të kësaj njësie administrative.
Siç e shikoni nga këto pamje të Inside Story kopshti i fëmijëve ndodhet buzë humnerës së krijuar nga gurorja.
Gërmimet për gurin gëlqeror i kanë ardhur rreth e rrotull edhe shkollës 9-vjeçare të Bicaj, në të cilën mësojnë rreth 200 nxënës duke vënë në rrezik jetën e tyre.
“Unë i kam fëmijët në rrezik, ata kalojnë çdo ditë buzë tyre. Kush i mba që të mos u afrohet rrënojave” u shpreh Kryeplaku i fshatit Bicaj
E mbyllur në vitin 2015, ajo çfarë ka mbetur nga gurorja nuk është më pak kërcënuese. Në shumë raste, bagëtitë e banorëve të zonës kanë përfundur në humnerën e krijuar nga dora e njeriut.
Drejtuesit e pushtetit lokal janë të ndërgjegjshëm për rrezikun që u ka ardhur te pragu i derës, por, qendra administrative i ka duart e lidhura dhe nuk mund të bëjë asgjë për rehabilitim.
“Me aq fonde sa kemi pasur kemi vendosur shirita sinjalizues rreziku, por edhe ata janë hequr nga banorët” u shpreh Granit Bilali, Administrator /Bicaj
Megjithatë zgjidhja sipas tyre mund të gjendet, por duhen shumë para’.
“Mund të kthehet në një fushë sportive, por problem janë titujt e pronësisë që janë të shumtë” u shpreh Granit Bilali, Administrator /Bicaj
Top Channel