Kthesa e Bashkimi Europian ndaj naftës ruse erdhi më shpejt nga sa mund ta kishte menduar Vladimir Putin. BE-ja do të heqë dorë plotësisht nga nafta e papërpunuar ruse dhe produktet e rafinuara deri në fund të vitit, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, teksa njoftoi raundin e gjashtë të sanksioneve kundër Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës.
“Ne do të heqim dorë nga furnizimet nga nafta e papërpunuara brenda gjashtë muajsh dhe produkteve të rafinuara deri në fund të vitit. Kjo do të jetë ndalesë e plotë ndaj importit të naftës ruse, që vjen nga cisternat dhe tubacionet, nafta e papërpunuar dhe ajo e rafinuar. Nuk do të jetë e lehtë. Disa shtete anëtare janë shumë të varura nga nafta ruse. Por, ne thjesht duhet të punojmë për këtë”, tha Von der Leyen.
Von der Leyen nuk përmendi asnjë përjashtim nga kjo ndalesë, edhe pse Hungaria dhe Sllovakia, dy shtete anëtare të bllokut, janë shumë të varura nga importet e energjisë ruse dhe janë shprehur kundër ndalesës.
Megjithatë, presidentja e Komisionit Europian e pranoi një vendim unanim për sanksionet mbi naftën “nuk do të jetë i lehtë”. Për t’u dhënë vendeve kohë për t’u përgatitur, do të ketë afate kalimi.
Konkretisht parashikohet që pas 6 muajsh do të hyjë në fuqi ndalimi i importeve për naftën e papërpunuar dhe pas një faze prej 8 muajsh edhe ndalimi i produkteve të naftës. Në këtë kontekst do të luajë rol nëse furnizimet vijnë me gazsjellës apo me anije.
Von der Leyen po ashtu njoftoi për largimin e bankës më të madhe ruse, Sberbank, nga sistemi ndërkombëtar i komunikimit financiar, SWIFT. Në pakon e gjashtë të sanksioneve, që pritet të miratohet në ditët në vijim, do të jenë edhe zyrtarët ushtarakë të përfshirë në mizoritë e kryera në Buça dhe Mariupol.
Top Channel