Pas videomesazhit të prësidentit të Ukrainës në parlament, ish kryeministri Berisha tha se ndihet i turpëruar sot me qëndrimin e dyzuar sipas tij të kryeministrit Rama.
Ashtu sikundër kërkoi presidenti Zelensky, Berisha kërkoi nga qeveria të ndalojë hyrjen e turistëve rusë në Shqipëri, ndërsa shkoi më tej teksa kërkoi largimin e ambasadorit rus në Tiranë, si edhe tërheqjen e ambasadorit tonë nga Moska.
“Ndoqëm me vëmendje dhe interes të madh por edhe emocione të thella, fjalimin e Presidentit të Ukrainës, këtij kombi që po martirizohet për lirinë e Botës, në një aggression barbar të Putin, i cili theksoi se paraqet sot, një monstër me fytyrë njerëzore, një kain, që ka shndërruar kombin e tij në ekzekutues që vrasin vëllezër e djegin e shkatërrojnë. Qëndresa e kombit ukrainas është një frymëzim i madh për ata që duan lirinë. Që në ditët e para të agresionit kemi ngritur zërin për ndihma konkrete.
Shqipëria është e rreshtuar në anën e NATO-s, ka dhënë ndihmesë në OKB, ajo që më lëndon shumë dhe mund të them se edhe na turpër sot është qëndrimi i Ramës gjatë këtyre muajve të këtij agresioni barbar, Në një anë votohet për dënimin e tij në KS, po nga ana tjetër promovohet ideja ruso serbe e Ballkanit të hapur, një projekt fund e krye antieuropian. Ka qenë një vendim absurd shpallja dhe ftesa e Ramës, për turistët rusë në Shqipëri.
Imagjinoni ju, vrasës, përdhunues, kainër, pasi kryejnë masakra të vijnë dhe të dynden në plazhet tona, për të marrë veten. Kjo ishte fyerje për shqiptarët dhe kërkesë e Zelenskyt. C’ishte ky xhest mes kësaj barbarie, kjo ftesë për rusët, që po bëjnë luftën më të padrejtë. Kërkoj me urgjencë të anulohen vizat për cdo qytetar rus që kërkon të hyjë në Shqipëri. Po në këtë kontekst kërkoj largimin e ambasadorit rus nga Tirana dhe tërheqjen e ambasadorin nga Moska, zvogëlimin e marrëdhënieve me Rusinë.”- u shpreh Berisha.
Top Channel