15 plumba u shkrepën në një përleshje me armë zjarri mes një zyrtari policor dhe dy personave në afërsi të Liqenit të Badovcit.
Polici që ishte jashtë detyrës zyrtare plagosi dy të rinj me të cilët thuhet se kishte konflikt.
Më një maj zyrtari policor Shefket Emini ishte duke festuar në hapësirat e Liqenit të Badovcit me një grup personash të nacionalitetit serb. Të njëjtat hapësira i kanë frekuentuar atë ditë edhe një grup të rinjsh shqiptarë me motoçikleta. Mendohet se dy prej tyre kanë pasur një konflikt me policin, që nuk dihet nga kush dhe si ka filluar. Megjithatë ka pasur shkëmbim zjarri mes tyre, të rinjtë kanë gjuajtur katër herë në drejtim të policit, ndërkohë që polici ka shtënë 11 herë mbi ta, duke i lënë të plagosur në kokë dhe në shpinë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se dy të rinjtë iniciuan shkëmbimin e zjarrit, duke bërë kështu që zyrtari policor të gjuante në drejtim të tyre. Pak metra larg vendit të ngjarjes u gjetën edhe arma e zjarrit me të cilën të dyshuarit kishin shtënë mbi policin dhe motoçikleta me të cilën u larguan për të marrë trajtimin mjekësor. Përfaqësuesi ligjor i njërit nga të plagosurit kërkon të zhvillohet hetim ndaj policit, që sipas tij ka qenë edhe i dehur.
“Një person që nuk ka qenë në detyrë, por në ndejë private dhe me gjasë sipas informacioneve tona joformale edhe i alkoolizuar dhe i është bë edhe alkooltesti”, tha avokati Asdren Hoxha.
Por, ky konflikt mori edhe përmasa të tjera. Zyra ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë e cilësoi si ndëretnik, ku shqiptarët sulmojnë serbët. Megjithatë, avokati e mohon një gjë të tillë.
“Ky incident apo kjo vepër penale e kryer nga ai person ndaj qytetarëve të republikës së Kosovës nuk ka karakter ndëretnik, fare nuk ka karakter ndëretnik”, shtoi Hoxha.
Inspektorati Policor dhe Policia e Kosovës thonë që janë duke vazhduar me hetimet.
Top Channel