Një zëdhënës i OKB-së ka konfirmuar se evakuimi i civilëve nga Mariupol përfundoi me sukses, ku 101 ukrainas që u shpëtuan nga fabrika e çelikut Azovstal kanë mbërritur në Zaporizhzhia.
Operacioni i OKB-së dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq synonte të nxirrte kryesisht gra dhe fëmijë nga fabrika e çelikut Azovstal.
Përpjekjet e mëparshme për të evakuuar civilët kishin dështuar.
Osnat Lubrani, koordinatorja e OKB-së në Ukrainë dhe koordinatore humanitare tha se njerëzit me të cilët ajo udhëtoi i treguan histori rrëqethëse të ferrit nëpër të cilin ata kaluan.
Korrespodenti i Sky News, Alex Rossi tha se civilët kishin pasur një udhëtim “jashtëzakonisht të gjatë” dhe “të vështirë” dhe shumë nga familjet që ishin mbledhur atje duke pritur për të evakuuarit “nuk mendonin se do ta shihnin ndonjëherë këtë ditë”.
Disa nga civilët kanë qenë brenda fabrikës së çelikut Azovstal që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt.
“Për më shumë se dy muaj ata kanë jetuar nën tokë, nën bombardime të vazhdueshme”, tha Rossi.
“Ekziston një rrjet tunelesh nën këtë punishte çeliku të epokës sovjetike, por ndërsa rrjedha e pushtimit ka vazhduar, ajo është ose po kthehet në një varr.”
Ndërsa të evakuuarit arritën të sigurt në qendër, Rossi tha se ka një numër civilësh dhe luftëtarësh ende të bllokuar brenda fabrikës së çelikut.
Top Channel