Përurohet sot në mesditë (12.30 ora greke) terminali i ri i gazit të lëngshëm LNG në Aleksandropolis në Greqinë lindore, në prani të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ,presidentit të Këshillit të BE-së, Charles Michel ,të kryeministrave të Bullgarisë, Kiril Petkov, Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacherdski, presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe ministrave përkatës të Energjisë së vendeve ballkanike pjesmarrëse.

Fillimi i punimeve të ndërtimit në terminalin lundrues të magazinimit dhe gazifikimit LNG në pjesën e hapur detare të Alexandroupolis do të përfundojë në dhjetor 2023 dhe Greqia do të mund të plotësojë vetëm nga ky stacion rreth 80% të nevojave të saj për gaz natyror.

Impianti i ri ,do të ndërtohet në bashkëpunim me Bullgarinë dhe do të lidhet nëpërmjet gazsjellësit IGB që do të jetë gati muajin e ardhshëm dhe do të jetë në gjendje të furnizojë me gaz Maqedoninë e Veriut, e cila pritet të jetë partnere në projekt, si dhe Serbinë.

Njësia lundruese në det të hapur është rreth 300 metra e gjatë, do të vendoset në një distancë prej 17.6 km nga porti i Aleksandropolis dhe do të lidhet me terminalin me një tubacion 28 km të gjatë.Kjo njësi lundruese do të marrë gaz natyror të lëngshëm nga cisternat (kryesisht amerikane,por jo vetëm ) dhe do të ruajë atë në depozitat e saj. Kur të gazifikohet, do të futet në tubacion dhe në sistemin e furnizimit. Kapaciteti i përgjithshëm do të arrijë në 5.5 miliardë metra kub, me nevojat totale të Greqisë që arrijnë në 7 miliardë metra kub.

Paralelisht me zgjerimin e objekteve në stacionin tjetër të depozitimit të gazit pranë Athinës, në Revythousa dhe përfundimin e infrastrukturave të tjera kritike dhe ndërlidhjeve të gazjellësve, vendi do të fitojë vetë-mjaftueshmëri të plotë energjetike.

Sipas burimeve qeveritare inagurimi i kësaj njësie LNG në kushtet aktuale, me përpjekjet e BE-së për t’u shkëputur nga gazi rus dhe mbështetjen e fuqishme nga SHBA , ka një rëndësi strategjike për Greqinë sa i përket rolit gjeopolitik në rajon , pasi bëhet një portë energjetike për Europën dhe rajonin.

Top Channel