Edhe pse 9 maji ishte përfolur si data e mundshme e përfundimit të sulmit të Moskës në Ukrainë, shefi i diplomacisë ruse Sergei Lavrov i uli pritshmëritë për këtë datë.
“Rusia nuk synon t’i japë fund luftës në Ukrainë deri në Ditën e Fitores, që shënohet më 9 maj”, deklaroi ministri i jashtëm.
Duke folur për median italiane Mediaset, tha se Moska nuk do të nxitojë të përfundojë të ashtuquajturin “operacion special ushtarak” deri në këtë datë.Nëntë Maji shënon dorëzimin e Gjermanisë naziste përballë forcave aleate – përfshirë Bashkimin e atëhershëm Sovjetik – më 1945.
“Ushtria jonë nuk do t’i përshtatë artificialisht veprimet e saj rreth asnjë date, përfshirë edhe Ditën e Fitores. Ritmi i operacionit në Ukrainë varet, para së gjithash, nga nevoja për të minimizuar çdo rrezik për popullatën civile dhe për personelin ushtarak rus”, shtoi ai.
Rusia zakonisht shënon Ditën e Fitores me një paradë të madhe ushtarake në qendër të Moskës dhe me një fjalim të presidentit Vladimir Putin, që përshëndet rolin udhëheqës të vendit të tij në mposhtjen e fashizmit në Evropë.
Por, festimet e këtij viti vijnë nën hijen e pushtimit rus të Ukrainës, të cilin Putin e ka justifikuar me pretendimet se fqinji i tij duhet të “denazifikohet” dhe “çmilitarizohet” për të shpëtuar popullatën rusishfolëse atje.Mijëra civilë janë vrarë dhe miliona janë zhvendosur nga Ukraina, qëkur Rusia ka nisur pushtimin e saj më 24 shkurt.Rusia ka thënë se mbi një mijë ushtarë të saj janë vrarë, por Ukraina pretendon se humbjet e Rusisë janë shumë më të mëdha.
Top Channel