Një ngjarje e cila në vendin tonë rëndom do të shkaktonte të qeshura për dikë dhe keqardhjet për dikë tjetër,duket se do t’i kushtojë shtrenjtë një 30- vjeçari shqiptar.

Ka qenë një video e publikuar në rrjetin social Tik Tok,ku duket 30- vjeçari duke ushqyer një mace dhe sapo ajo afrohet, ai e godet me shkelm dhe e hedh në det.

Në vazhdim të njëjtën gjë tenton ta bëjë edhe me një tjetër mace që ndodhej në tavernën që ai po drekonte me shokët e tij.

Kaq ka mjaftuar që menjëherë të reagojë ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit dhe 30-vjeçari të arrestohet e të mbahet në rajonin e policisë në Edipso dhe paraditen e së martës të dërgohet në gjykatë për masë sigurie.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa autori fillimisht kërkoi ndjesë për gjestin, por në vazhdim nëpërmjet një videoje në rrjetet sociale ofendoi kritikët e tij dhe tha se ishte i dehur në momentin që kreu aktin, por se nuk kishte bërë diçka të keqe. E gjitha ishte një shaka deklaroi ai. Isha i dehur dhe nuk keni pse më denonconi.

Mediat greke thonë se 30 vjeçari, emri të cilit nuk bëhet publik për momentin, ka qenë i dënuar për trafik droge dhe është përdorues i lëndëve narkotike.

Greqia ka ashpërsuar ligjet për dhunimin e kafshëve, duke e klasifikuar  veprën si krim të rëndë që dënohet me 5 vjet burgim dhe 50.000 euro gjobë.

Top Channel