Turqia nuk do të marrë pjesë në manovrat ushtarake të NATO-s në Greqi ‘prej provokimeve’ (fotot)

30/04/2022 16:18
Helikoptere franceze sulmi Tiger dhe NH90 ne manovra te NATOs

Turqia ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në manovrat ushtarake të NATO-s “Tiger Meet” në Greqi muajin që vjen, për arsye të “provokimeve,” njoftonin sot burime vendase të sigurisë.

Autoritetet turke thanë se i kanë njoftuar vendimin e tyre vendit pritës më 22 prill.

Mediat turke thonë se Athina ka shfrytëzuar mosmarrëveshjet e saj me Ankaranë për të bërë ndryshime në rregullat teknike të manovrave, të cilat kundërshtojnë ligjet ndërkombëtare. Meqënëse kërkesat e Turqisë nuk u respektuan, vendi është tërhequr nga pjesemarrja.

“Tiger Meet” (Takimi i tigrave) është iniciativa e NATO-s për “promovimin e solidaritetit mes forcave ajrore dhe mbahet në vende të ndryshme. Këtë vit stërvitja është programuar për datat  9 deri në 22 maj.

Ankara pritej të dërgonte gjuajtësit e saj F-16 në manovrat e bazës ajrore greke Araxos por zyrtarët konsideruan se teksti i përdorur në dokumentacionin teknik kishte mospërputhje dhe pala greke refuzoi ndryshimet.

Të tjera raportime nga Turqia sugjeronin se ishte vetë Greqia po nxiste mospjesëmarrjen e Turqisë në manovra, prej përplasjeve të fundit në lidhje me shkeljet e hapësirës ajrore.

Në një raport të rrjetit “Voice of America” thuhej se Greqia kishte kundërshtuar pjesëmarrjen e Turqisë në manovra pasi vendi nuk është “as një aleat, as një mik”.

Të enjten ministria e jashtme greke i shprehu protesta ambasadorit të Turqisë për “numrin e paprecedentë të shkelje të hapësirës ajrore nga Turqia” që sipas mediave vendase arrinin në më shumë se 100 brenda dy ditëve.

FOTO GALERI
1/3
Ankara pritej të dërgonte gjuajtësit e saj F-16 në manovrat e bazës ajrore greke Araxos

Top Channel