PD rinis epokën Berisha Kuvendi ndryshon statutin, bashkohet rreth ish kryetarit

30/04/2022 19:32

Më të bashkuar ishte slogani në hyrje të eventit të thirrur nga Sali Berisha, por bashkimi i demokratëve nuk ndodhi as në këtë Kuvend. 35 deputet të Partisë Demokratike refuzuan  ftesën duke u distancuar publikisht nga ish-Kryeministri. Të vetmit që dolën nga rreshti ishin Kasem Mahmutaj dhe Ina Zhupa. Edhe kjo e fundit kishte ardhur me dy mendje

“Mos ma merrni si vendim final.”- tha Ina Zhupa

Por, delegatët e tjerë ishin në një mendje, pasi kuvendi mori një vendim final, duke shpallur datën 22 maj për garën e zgjedhjes së kryetarit të ri të Partisë Demokratike, ku kandidati kryesor dhe me gjasë fitues i padiskutueshëm është Sali Berisha. Fitorja sot në kuvend, ishte e tij. Në radhë të parë mbi birin e tij planprishës.

“Basha tradhtoi demokratet. Tani do kemi opozitë të rithemeluar.”- tha Berisha

Në opozitën e rithemeluar  por jo të bashkuar, nuk ka vend për tradhëtarët. Formalisht i tillë u be dhe kryetari i grupit Ekelejd Alibeaj që u shkarkua nga funksioni.

Ndryshimet e reja statutore parashikojnë që  në këtë organ të lartë vendimmarrës  automatikisht janë pjesë të gjjthë anëtarët e grupit parlamentar, përfshi Lulzim Bashën. Por ish kryetari dhe 34 deputetët e tjerë, vështirë se do ta përdorin këtë privilegj. Mungesa e tyre me gjasë, ishte dhe e fundit. Dy të tretat e grupit parlamentar, sot nisën një rrugëtim të ri, dhe të ndarë nga porcioni Berishist i PD, pavarësisht vendimit të gjykatës se kujt do ti përkasë logo e partisë.

 

 

 

 

 

Top Channel