Më të bashkuar ishte slogani në hyrje të eventit të thirrur nga Sali Berisha, por bashkimi i demokratëve nuk ndodhi as në këtë Kuvend. 35 deputet të Partisë Demokratike refuzuan ftesën duke u distancuar publikisht nga ish-Kryeministri. Të vetmit që dolën nga rreshti ishin Kasem Mahmutaj dhe Ina Zhupa. Edhe kjo e fundit kishte ardhur me dy mendje
“Mos ma merrni si vendim final.”- tha Ina Zhupa
Por, delegatët e tjerë ishin në një mendje, pasi kuvendi mori një vendim final, duke shpallur datën 22 maj për garën e zgjedhjes së kryetarit të ri të Partisë Demokratike, ku kandidati kryesor dhe me gjasë fitues i padiskutueshëm është Sali Berisha. Fitorja sot në kuvend, ishte e tij. Në radhë të parë mbi birin e tij planprishës.
“Basha tradhtoi demokratet. Tani do kemi opozitë të rithemeluar.”- tha Berisha
Në opozitën e rithemeluar por jo të bashkuar, nuk ka vend për tradhëtarët. Formalisht i tillë u be dhe kryetari i grupit Ekelejd Alibeaj që u shkarkua nga funksioni.
Ndryshimet e reja statutore parashikojnë që në këtë organ të lartë vendimmarrës automatikisht janë pjesë të gjjthë anëtarët e grupit parlamentar, përfshi Lulzim Bashën. Por ish kryetari dhe 34 deputetët e tjerë, vështirë se do ta përdorin këtë privilegj. Mungesa e tyre me gjasë, ishte dhe e fundit. Dy të tretat e grupit parlamentar, sot nisën një rrugëtim të ri, dhe të ndarë nga porcioni Berishist i PD, pavarësisht vendimit të gjykatës se kujt do ti përkasë logo e partisë.
Top Channel