“E ardhmja pa u mbështetur në të shkuarën është e pasigurtë”, Bylykbashi: Proamerikanizmi ynë është …

30/04/2022 12:52

“E ardhmja pa u mbështetur në të shkuarën është e pasigurtë”- kështu iu përgjigj Oerd Bylykbashi kritikëve, që kërkojnë ndarjen e PD me të shkuarën. Në fjalën e tij në kuvendin kombëtar të Rithemelimit, Bylykbashi tha se demokratët besojmë te parimet e kushtetutës amerikane, te karta e të drejtave të njeriut, dhe ky për të është proamerikanizmi i tyre.

“Kuvendi i 11 dhjetorit mbylli një kapitull të errët të PD dhe i celi rrugën këtij kuvendi të ri. Është në nderin e këtij Kuvendi të ndërojë PD e viteve të ardhshme, që emrin demokratike ta meritojë se i zbaton vërtetë ato parime.

Nëse demokracinë nuk e kemi mes nesh, s mund ta kërkojmë jashtë partisë sonë. Foltorja dhe forca e demokratëve, tregoi se sistemi imunitar i PD funksionon. Votat e lira të demokratëve janë antitrupat kundër vulës së njëshit. Liria e individit vlen më shumë se disiplina e hekurt që imponon lideri.

Referendumi, zgjedhje dhe primaret ia japin anëtarëve pushtetin suprem. Vetëm statuti nuk na bën demokratë. Zbatimi i tij me votë, na bën ne demokratë. Sa më shumë të votohet në këtë parti aq më shpejt ne do të bashkohemi. Nuk ka instrument më bashkues se kutia e votimit. Deri më 9 shtator 2021, po ecnim sy mbyllur drejt një ure, përtej asaj ure vdes demokracia.

Ne i hapëm sytë në kohë. U shmangëm nga jo urë ku liria shkëmbehet me diktatin. Ky kuvend qëndron mbi këto themele, po i mbyllëm sytë e gojën sërish, do i drejtohemi partisë së kryetarit. Sfida që kemi është e madhe, bashkë mund ta kapërcejmë me sukses.

Nuk kemi më kohë për gabime. Bashkë jam i sigurtë se mund të kapërcejmë këtë sfidë, ne besojmë te parimet e kushtetutës, amerikane, te karta e të drejtave të njeriut. Ky është proamerikanizmi ynë. Kemi eksperiencën e themeluesve, e ardhmja pa u mbështetur në të shkuarën është e pasigurtë.

Sot bazuar te tradita, parimet tona të lirisë, duhet të projektojmë jo liderin, por lidershipin e 10-15 viteve të ardhshme.”- u shpreh Bylykbashi.

Fjala e plotë: 

Së pari ju uroj suksese në inaugurimin e mandatit tuaj si përfaqësues të demokratëve në organin suprem të Partisë Demokratike. Kuvendi i 11 dhjetorit 2021 mbylli një kapitull të errët të funksionimit të PD dhe me statutin që miratoi, i çeli rrugën këtij Kuvendi të ri.

Është në nderin dhe barrën e këtij Kuvendi që mbi ato themele që u hodhën me statutin e 11 dhjetorit, të ndërtojmë Partinë Demokratike të 15 apo 20 viteve të ardhëshme. Një parti që emrin “demokratike” ta meritojë jo vetëm për shkak të parimeve, por sepse i zbaton ato. Nëse demokracinë nuk e kemi brenda nesh nuk mund ta kërkojmë jashtë shtëpisë sonë.

Mbytja e ngadaltë, në heshtje përgjatë viteve, e demokracisë brenda PD na bashkoi në një lëvizje pa precedent në historinë tonë politike por edhe të Ballkanit. Rrugëtimi i Foltores dhe forca që treguan demokratët e thjeshtë që kërkonin dhe gjetën një vend për të thënë çfarë mendonin, tregoi se sistemi imunitar i PD kundër autokracisë funksionon. Është detyra jonë ta mbajmë të shëndetshëm imunitetin tonë demokratik.

Votat e lira të demokratëve janë antitrupat kundër vulës së njëshit, autokratit dhe diktatit. Liria e individit vlen më shumë se disiplina e hekurt që imponon lideri. Më 11 dhjetor ne provuam këtë. Por sot marrim detyrën ta mbajmë atë që vendosëm më 11 dhjetor 2021.

Rrugëtimi ynë drejt 11dhjetorit 2021 kaloi nëpër një hartë rruge që kishte një vizion dhe një objektiv: demokratizimin e PD nëpërmjet reduktimit të pushtetit të kryetarit dhe forcimin e pushtetit të këtij Kuvendi, Këshillit Kombëtar dhe Kryesisë që janë organet përfaqësuese të tij. Referendumi, zgjedhjet “një antar – një votë” dhe primaret ia japin antarëve pushtetin suprem. Ndarja dhe balancimi i pushteteve, kolegjialiteti dhe respektimi i votës na siguron që jemi parti demokratike.

Vetëm statuti nuk na bën demokratë. Zbatimi i tij nga secili prej nesh, me votë, duke folur hapur e pa tutje në organet përfaqësuese, kjo na bën demokratë. Sa më shumë të votohet në këtë parti aq më shpejt do të bashkohemi, do lemë pas përçarjen që deshën të na imponojnë, akoma më shumë do të jemi demokratë. Nuk ka instrument më bashkues se kutia e votimit ku bëhen bashkë mendimet tona edhe te ndryshme apo të kundërta.

Miq,
Deri më 9 shtator 2021 po ecnim symbyllur drejt një ure, përtej të cilës partitë njihen me emrin e kryetarëve. Përtej asaj ure vdes demokracia dhe mbretëron autokracia. Ne i hapëm sytë, hapëm gojën, folëm, dhe u shmangëm nga ajo urë ku liria shkëmbehet me diktatin. Nuk mund t’i falim sërish liritë që fituam tek Foltorja, tek 11 dhjetori, 18 dhjetori, 30 janari i primareve apo 6 marsi.
Ky kuvend qëndron mbi këto themele që nuk duhen harruar e tradhëtuar. Po i mbyllëm sytë dhe gojën, sërish do t’i drejtohemi asaj ure ku partitë njihen me emrin e kryetarit. Ne nuk kemi më kohë për gabime të përsëritura.
Në 31 vite ndoshta nuk patëm asnjëherë demokracinë perfekte. Ndaj sfida që kemi për ta ndryshuar këtë fakt është e madhe. Por bashkë jam i sigurt se mund ta realizojmë. Ne besojmë tek parimet e Kushtetutës amerikane dhe Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut. Ky është proamerikanizmi dhe pro-europianizmi ynë.
Ne kemi eksperiencën e themeluesve dhe qëndrestarëve por edhe dhe energjinë e të rinjve. Sinergjia e tyre është garancia për të ardhmen e kësaj partie. E ardhmja pa u mbështetur në të shkuarën, është e pasigurt.
Kemi betejë të vështirë por fisnike për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës. Ndaj sot duhet të projektojmë lidershipin që na çon në fitoren e 2023, atë të 2025 me të cilën të rikthejmë rrugëtimin europian.
Sot, bazuar tek tradita, eksperienca dhe vizioni, duhet të projektojmë jo thjesht liderin, por lidershpin e 10 -15 viteve të ardhëshme, gjeneratën e drejtuesve që marrin përsipër sfida e përgjegjësi, dhe japin llogari me votë para jush, demokratëve.
Suksese miq në detyrën e rëndësishme që ju kanë besuar demokratët!
Rroftë Partia Demokratike!

Top Channel