“Drejtësia në dispozicion të ekzekutivit”, Berisha kundër reformës: Do zhdukim pasojat e saj katastrofale me institucionet më të mira amerikane

30/04/2022 14:18

Nga kuvendi kombëtar i Rithemelimit, ish kryeministri Berisha u deklaruar kundër reformës në drejtësi, për të cilën tha se ka vënë drejtësinë në dispozicion të ekzekutivit.

Ndonëse një investim amerikan, Berisha u zotua se nesër në pushtet do të zhbëjë të gjitha pasojat katastrofale të kësaj reforme, e për këtë do të bashkëpunojë me institucionet më të mira europiane dhe amerikane, edhe pse këto të fundit i kanë mbyllur derën duke e shpallur ‘non grata’.

“Shqiptarët e lirë, në një mënyrë apo një tjetër, e gjetën veten në betejën e frikës, para të mëdha vërshuan drejt deformimit të informacionit, banda u rekrutuan në polici, po ne si opozitë ku ishim? Ne jemi aty ku do shkelet cdo e drejtë, ku dhunohet e drejta lind protesta, lind qëndresa.

Nuk ka liri pa shtet ligjor, pa sistem drejtësie, sot shteti ligjor është inekzistent. Sot qytetarët shqiptarë, nuk kanë më të drejtën e një procesi ligjor të drejtë. Drejtësia është në dispozicion të ekzekutivit. U grumbulluan mbi 120 mijë dosjen, rryshfeti për të afruar dosjen është më i lartë se kurrë, ndryshe drejtësi këtu nuk merr.

Nesër në pushtet me institucionet më të mira europiane dhe amerikane do zhdukim sa më parë pasojat katastrofale të kësaj reforme të korruptuar, të rikthejmë ligjin, të vendosim shtetin ligjor sigurinë ligjore, si kusht të të gjitha kushteve, për liri, për treg të lirë, investime, për të ecur drejt integrimit.

Sot 50% e shqiptarëve lëngojnë në varfëri. Ne do ndezim motorët e entuziazmit të tregut, ne që sollëm tregun e lirë, mos harroni se 30 vite më parë vendosëm taksën e vlerës së shtuar. Ne jemi parti e taksave të ulëta. Garantoj shqiptarët dhe bizneset se Shqipëria do të jetë vendi i taksave më të ulëta në Europë.

Ky është vend i bekuar, nuk ka vend tjetër më pasuri natyrore sa Shqipëria, por ato po grabiten nga qeveria e saj. Këto pasuri do të shndërrohen në burime të fuqishme, zhvillimi dhe të ardhurave për shqiptarët.

Në 8 vite, KLSH ka faktuar se qeveria ka shpërdoruar 8.2 mld euro, shumë kjo me të cilën mund të rriteshi 3 ose 4 herë rrogat dhe pensionet. Shumë kjo që në investime do konvertohej me investime. Kjo praktikë merr fund, luftë me zero tolerancë korrupsionit. Transparenca është zotimi ynë.”- u shpreh Berisha.

Top Channel