Ancelotti shkruan historinë, Reali hap zyrtarisht shampanjën e titullit kampion

30/04/2022 18:35

Reali i Madridit shpallet kampion në La Liga. “Mbretërorët” kishin nevojë vetëm për një pikë ndaj Espanyolit, por morën tre të tilla falë fitores 4-0 dhe hapën shampanjën e titullit kampion 4 javë para fundit të sezonit.

Reali i Madridit fiton për herë të 36 në histori titullin kampion, plot 10 më shumë se Barcelona, që e ka fituar 26 herë, ndërsa shumë mbrapa tyre renditet Atletico e Madridit, që numëron 11 tituj të fituar në La Liga.

Ky titull është mjaft i rëndësishëm edhe për Carlo Ancelottin, që triumfon në La Liga në eksperiencën e dytë në pankinën e Realit dhe bëhet i pari trajner në botë që fiton kampionatin në 5 ligat kryesore të Europës.

Tekniku 62-vjeçar ka fituar Serinë A në pankinën e Milanit, Premier Leaguen në pankinën e Chelsea-t, Ligue 1 në pankinën e PSG-së, Bundesligën në pankinën e Bayernit të Mynihut dhe së fundi La Ligën në stolin e Realit të Madridit.

Me titullin matematikisht në xhep, “Los Blancos” mund të kthejnë tërësisht vëmendjen nga Champions League, ku do të luajnë gjysmëfinalen e kthimit ndaj Manchester City-t, me shpresën për të ngritur lart për herë të 14 në histori.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA