“Jam i indinjuar nga telefonatat e pseudo gazetarëve, që spekulojnë për jetën e një njeriu që po lufton.” Këto janë fjalët e Alberto Zangrillos, kreut të Anestezisë dhe Kujdesit Intensiv të spitalit San Raffaele, në Milano, i cili iu përgjigj thashethemeve për gjendje shëndetësore të menaxherit të njohur Mino Raiola, 54 vjeç.
Gjendja e menaxherit italo-holandez, një nga më të pasurit dhe më të famshmit në botë, është shumë e rëndë. Raiola është përfaqësues i shumë kampionëve si: Ibrahimovic, Pogba, Haaland, Balotelli, De Ligt, Donnarumma e Verratti. Gjatë muajit janar, u përhapën fjalë për shtrimin e tij urgjent në spitalin San Raffaele, në Milano, por që u mohuan nga vetë Raiola.
“Gjendja aktuale e shëndetit për ata që pyesin: i inatosur. Kjo është hera e dytë në 4 muaj që më vrasin.” Këto janë fjalët që u shfaqën në adresën zyrtare të Mino Raiolas në Twitter dhe Instagram si përgjigje për thashethemet mbi vdekjen e tij.
Zlatan Ibrahimovic mbërriti në spitalin San Raffaele pak pas pasdites për të vizituar menaxherin e tij, Mino Raiola. Edhe Mario Balotelli ka shkruar një mesazh për Raiolan, i cili ka qenë gjithmonë pranë tij. “Të dua, qëndro i fortë, Mino”, ka shkruar sulmuesi, që aktualisht luan në Turqi. Shumë lojtarë të tjerë kanë postuar mesazhe mbështetëse për Raiolan në rrjetet e tyre sociale.
Top Channel