Gjashtë persona janë arrestuar ndërsa një tjetër është proceduar penalisht në kuadër të operacionit “Drug House”, ku u zbuluan dy katet e një banese të përshtatura për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë familjarët: Luan Sulaj 44 vjeç, Ylli Sulaj 47 vjeç, Xhevrie Sulaj 69 vjeçe, Shqipe Sulaj 38 vjeçe të cilët akuzohen për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim. Xhevrie Sulaj është nëna e Shqipe Sulajt dhe Ylli Sulajt ndërsa Luan Sulaj është i afërm i tyre.
Janë arrestuar gjithashtu edhe dy punonjës të OSHEE-së: Lutfi Basha 45 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë faturist pranë OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe Rifat Kuçi, banues në Tiranë, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu, u procedua penalisht kryeplaku i fshatit, shtetasi Z. V., 56 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetases Xhevrie Sulaj në katin e dytë dhe të tretë, shërbimet e Policisë evidentuan ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave. Në mometin e ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, është gjetur në banesë shtetasja Xhevrie Sulaj.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasit Luan Sulaj, Ylli Sulaj dhe Shqipe Sulaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përshtatur banesën e shtetases Xhevrie Sulaj, për të kultivuar bimë narkotike.
Gjatë zhvillimit të operacionit janë sekuestruar 253 bimë kanabis të kultivuara në vazo, ushqyes elektrikë, llamba elektrike, freskuese dhe 6 aparate celulare.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel