Pas 20 vitesh në Kopshtin Zoologjik të Shkupit lindin tre luanë të bardhë (fotot)

29/04/2022 17:45

Aleksandar Maxhovski, kujdestar i kopshtit zoologjik, thotë se arriti të fitojë besimin e nënës luaneshë dhe kujdeset çdo ditë për të dhe këlyshët e saj

Kopshti Zoologjik i Shkupit krenohej sot me njoftimin se pas njëzet vjetësh kanë lindur tre luanë të bardhë, falë nënës luaneshë Bella.

Aleksandar Maxhovski, kujdestar i kopshtit zoologjik rrëfente për emocionin dhe sfidën që ai dhe kolegët e tij përjetuan këtë vit më 7 mars, kur Bella nisi të lindte.

“I porsalinduri i parë ka dalë jashtë, më 7 mars. Moti ishte ende i ftohtë, kishte mbetje bore. Me reagimin tonë arritëm ta ndajmë Belën nga i vogli, ta ri-animojmë, ta transferonim në një dhomë të sigurt që të ishte e përgatitur, aty në atë dhomë ajo lindi dy luanët e tjerë”, tha Maxhovski.

Maxhovski arriti të fitojë besimin e nënë luaneshës, teksa kujdeset çdo ditë për të dhe këlyshët e saj. Ai thotë se janë duke bërë përparim të madh, teksa kohët e fundit këlyshëve kanë filluar t’u rriten dhëmbët e përveç qumështit të gjirit hanë edhe mish.

“Ajo është super nënë dhe kujdeset mirë për të vegjlit. Na lejon t’u afrohemi. Sigurisht edhe ata tashmë janë kureshtarë, na afrohen. Por gjithsesi ajo ka pak rezerva, njëfarë instikti nëne”, tha Maxhovski.

Drejtori i Kopshtit Zoologjik të Shkupit, Kristijan Stamenov, theksoi se nëna Bela dhe babai Çaka janë ekzemplarë të bukur të specieve të rralla të luanëve të bardhë, të cilët aktualisht jetojnë në mjedise të veçanta për shkak të kujdesit të nevojshëm veterinar që duhet t’i ofrohet nënës dhe luanëve të vegjël.

Stamenov tha se është veçanërisht i lumtur që numri i kafshëve në kopshtin zoologjik në periudhën e fundit është rritur ndjeshëm.

“Periudhën e fundit ishim dëshmitarë të një ‘baby boom’ të vërtetë në kopshtin zoologjik, filluam me luanët e vegjël, vazhduam me shumë të tjera si patosi, lemurët, hardhucat. E pazakonte ishte dhe deveja e vogël, për herë të parë nga lloji i deveve me të pasme të dyfishta”, tha Stamenov.

Luanët e vegjël i kërkonin vizitorët, por ata dhe babain Çaka do të duhet t’i presin deri në fund të majit për t’i takuar, kur ekipi veterinar të vendosë se janë gati të shfaqen në botën e jashtme.

FOTO GALERI
1/4
Kopshti Zoologjik i Shkupit krenohej sot me njoftimin se pas njëzet vjetësh kanë lindur tre luanë të bardhë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA