Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i kërkoi qytetarëve të Luginës së Preshevës të mos qëndrojnë indiferentë, por të votojnë koalicionin e Shqiptarëve të Luginës tani që përsëriten zgjedhjet në Bujanoc.

Edhe një përndiqje e vogël e votave mund të bëjë diferencën e të ndryshojë situatën në mënyrë të tillë që shiptarët të sigurojnë një vend në Parlamentin e Serbisë, ka shkruar ai në Facebook.

Kurti: Pas vendimit për përsëritjen e zgjedhjeve në qendrën 6 të vendvotimit në Bujanoc, janë rritur gjasat që kryesuesi i listës së Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, Shaip Kamberi, të fitojë edhe një mandat deputeti….Nevojiten 650 vota ose votimi i 60% të qytetarëve nga lista e votimit që z. Kamberi të vazhdojë përfaqësimin e shqiptarëve.

Shaip Kamberi, e meriton të jetë në Kuvendin e Serbisë, ku për dy mandate rresht, u kthye në një zë të fuqishëm gjatë seancave parlamentare në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe në denoncimin e regjimit autokratik në Serbi, argumentoi kryeministri i Kosovës.

Për shkak të pjesëmarrjes së ulët, asnjëra nga dy listat zgjedhore të pakicës shqiptare nga jugu i Serbisë nuk e kaloi pragun në zgjedhjet e 3 prillit, kështu që shqiptarët nuk do të kenë përfaqësues të tyre në përbërjen e parlamentit të ri serb.

Kamberi, i cili në zgjedhjet e 3 prillit garoi në kuadër të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, kishte kërkuar ripërsëritje të votimit, pasi që sipas tij këto zgjedhje u karakterizuan me dalje të ulët të shqiptarëve, për shkak të pasivizimit të adresave të shqiptarëve.

Top Channel